Tronditen tregjet globale, nafta rritet në nivele shumë të larta

Çmimet e naftës u rritën sërish të martën, ndërsa pasiguria rreth negociatave mes SHBA-së dhe Iranit po shton frikën për inflacion më të lartë dhe po trondit tregjet globale.

Nafta Brent, referenca ndërkombëtare, u rrit me rreth 2 për qind, duke kaluar mbi 107 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI u rrit me 1.8 për qind, mbi 94 dollarë për fuçi.

Këto nivele janë dukshëm më të larta se çmimet e fundit të shkurtit, para shpërthimit të luftës me Iranin, kur Brent tregtohej rreth 72 dollarë për fuçi, transmeton Telegrafi.

Rritja e çmimeve vjen pasi shpresat për një lehtësim të shpejtë të krizës në Lindjen e Mesme janë zbehur. Në fundjavë, presidenti amerikan Donald Trump hodhi poshtë ofertën e Iranit për një armëpushim shtatëditor.

Ndërkohë, ndërmjetësit po përpiqen të gjejnë një marrëveshje që do t’i jepte fund luftimeve dhe do të mundësonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Irani ka propozuar rihapjen e ngushticës në këmbim të heqjes së bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane dhe lehtësimit të sanksioneve. Uashingtoni kërkon që çdo marrëveshje të përfshijë edhe çështjen e programit bërthamor iranian.

Palët vazhdojnë të kenë mospajtime mbi kohën e zbatimit të koncesioneve dhe mbi atë se cila palë duhet të bëjë hapin e parë.

Për tregjet, kjo pasiguri po përkthehet në rritje të presioneve inflacioniste. Çmimet më të larta të energjisë rrisin kostot e transportit, prodhimit dhe konsumit, duke shtuar pritshmëritë për politika monetare më të shtrënguara.

Në SHBA, yield-i i bonove 10-vjeçare të Thesarit kaloi të hënën mbi 5.27 për qind, niveli më i lartë në 19 vjet. Vetëm gjatë shtatorit, yield-i është rritur me afro gjysmë pikë përqindjeje, ndërsa shitjet e bonove kanë arritur nivelin më të lartë në dy vjet.

Yield-i i bonove amerikane dyvjeçare është rritur me më shumë se 0.57 pikë përqindjeje këtë muaj dhe është afruar pranë 5 për qind.

Edhe në Evropë presioni është shtuar. Yield-i i bonove 10-vjeçare të Gjermanisë arriti në 3.62 për qind, niveli më i lartë që nga qershori i vitit 2009.

Rritja e yield-eve ka ndikim të drejtpërdrejtë në koston e huamarrjes, nga kreditë hipotekare dhe kreditë konsumatore deri te financimi i kompanive dhe borxhi publik. Në të njëjtën kohë, normat më të larta mund t’i bëjnë aksionet më pak tërheqëse për investitorët.

Tregjet e aksioneve në Azi u përballën me humbje. Nikkei 225 në Japoni ra 1.3 për qind, Kospi i Koresë së Jugut 0.9 për qind, ndërsa Hang Seng në Hong Kong humbi 0.6 për qind.

Në Wall Street, të tre indekset kryesore e mbyllën seancën e së hënës në rënie.

Ndërkohë, Banka e Rezervës së Australisë rriti të martën normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, në 4.6 për qind, niveli më i lartë në 15 vjet. Banka tha se rritja e kostove të karburanteve po ushqen inflacionin në ekonominë australiane.

Në tregun valutor, dollari amerikan u forcua lehtë ndaj jenit, në 157.42 jen, ndërsa euro ra në 1.1362 dollarë.

Edhe ari mbeti pranë 4,160 dollarëve, pas rënies së fortë të së hënës, pasi pritshmëritë për rritje të mëtejshme të normave të interesit e bëjnë metalin më pak tërheqës, pasi ai nuk gjeneron interes.

Investitorët tashmë po presin të dhënat e reja amerikane për inflacionin dhe tregun e punës, të cilat mund të ndikojnë në vendimin e ardhshëm të Rezervës Federale. Tregjet aktualisht po vlerësojnë mundësinë e një tjetër rritjeje të normave të interesit në fund të tetorit.