Në Gjykatën Themelore në Prishtinë nis sot gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve, të cilët ngarkohen me veprat penale që lidhen me dëbimin e mbi 800 mijë shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së fundit.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, gjatë periudhës janar-qershor 1999, kanë ushtruar autoritet dhe kontroll efektiv mbi forcat që vepronin nën përgjegjësinë e tyre gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit, përmes raporteve operative, komunikimeve të brendshme dhe pranisë në terren, kanë qenë në dijeni për veprimet e kryera nga forcat nën komandën ose kontrollin e tyre.
Në aktakuzë përmenden po ashtu shkatërrimi i pronës, djegia e shtëpive dhe objekteve të infrastrukturës civile, përndjekja dhe ndalimi arbitrar i personave mbi baza etnike, si dhe sulmet e armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me shqiptarë.
Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë rezultuar në organizimin e kolonave të detyruara të civilëve shqiptarë, me qëllim dëbimin e tyre nga Kosova drejt kufijve me Shqipërinë dhe Maqedoninë.


