Facebook shpallet përgjegjës për shkeljen e privatësisë, rrezikon miliona dollarë gjobë

Një gjykatë në New Mexico vendosi se Facebook është përgjegjës për mashtrimin e përdoruesve lidhur me masat e mbrojtjes së privatësisë në platformë.

Tani i takon gjykatës të përcaktojë shumën që kompania duhet të paguajë.

Avokatët që përfaqësojnë shtetin kanë kërkuar dënimin maksimal prej 5,000 dollarësh për çdo shkelje.

Gjykimi, i cili zgjati dy javë në Santa Fe, u përqendrua te akuzat se Facebook kishte mashtruar përdoruesit lidhur me një shkelje të të dhënave që lidhej me një kuiz personaliteti të zhvilluar nga një palë e tretë.

Përme këtij kuizi u mblodhën të dhëna nga rreth 87 milionë profile, të cilat më pas iu shitën kompanisë së konsulencës politike Cambridge Analytica për krijimin e reklamave të synuara.

Ndër klientët e kompanisë, tashmë të mbyllur, ishte edhe fushata presidenciale e Donald Trump në vitin 2016.

Gjykata konstatoi se dështimi i Facebook për të mbrojtur të dhënat e përdoruesve preku të gjithë popullsinë e vendit.

Gjithashtu, ajo konstatoi se Facebook kishte keqinformuar publikun lidhur me hetimet ndaj ndërmjetësuesve të të dhënave pas skandalit të Cambridge Analytica. Për këtë çështje, kompania u shpall përgjegjëse për më shumë se 2 milionë shkelje.