Përmbytje masive në Bangkok, shpallet gjendje katastrofe

Autoritetet e Bangkokut shpallën gjendje katastrofe në të 50 distriktet e kryeqytetit tajlandez, pasi shirat e rrëmbyeshëm për të tretën ditë radhazi shkaktuan përmbytje të mëdha.

Vendimi u mor nga guvernatori Chadchart Sittipunt, i cili tha se që nga pasditja e së enjtes kanë rënë rreth 300 milimetra shi, duke e bërë situatën kritike.

Rrugët dhe kanalet e qytetit janë përmbytur, ndërsa uji ka hyrë në shumë shtëpi dhe biznese. Banorët raportojnë se niveli i ujit ka arritur deri në bel, duke i detyruar të mbyllin dyqanet dhe të përdorin thasë me rërë për mbrojtje.

“Është më e keqe se përmbytja e vitit 2011”, tha një banore për AFP, duke kujtuar katastrofën e asaj kohe që mori mbi 500 jetë.

Guvernatori paralajmëroi se zonat pranë kanaleve janë më të rrezikuara, pasi “çdo kanal është i mbushur”.

Ai u bëri thirrje pacientëve që varen nga pajisjet mjekësore të marrin në konsideratë një qëndrim të përkohshëm në spital, ndërsa banorëve u rekomandoi të zhvendosin automjetet në vende më të larta. Autoriteti i transportit publik ofroi parkim falas në stacionet e trenave MRT deri më 2 tetor.

Departamenti i Parandalimit dhe Zbutjes së Fatkeqësive paralajmëroi për presion të ulët të ajrit në rajonet lindore, verilindore dhe qendrore të Tajlandës, duke shtuar se ekziston rreziku i përmbytjeve të menjëhershme, rrëshqitjeve të dheut dhe derdhjes së lumenjve.