Kryeministri Edi Rama mbajti fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork.
Në fillim të fjalës së tij, ai u fokusua tek Inteligjenca Artificiale dhe rreziqet e keqpërdorimit të saj.
“Ne jemi një komb që po e jetojmë të ardhmen, të cilën shumë po e debatojnë. Unë kam një mesazh të thjeshtë dhe këtë ua detyrohemi të gjithë juve: rreziku më i madh nuk është se IA do të ndalojë njerëzimin, por rreziku është që mund të bindë njerëzit e gabuar” tha Rama.
Më tej, shtoi se Shqipëria solli e para një ministre me IA, Diellën, por algoritmi nuk mban mandat.
“Shqipëria u bë vendi i parë që solli ministren e parë me IA, Diellën. E bëmë për t’i bërë procedurat më transparente dhe shtetin më llogaridhënës. Asnjë algoritëm nuk mban mandat. Pas çdo vendimi me ndikim publik duhet të mbetet një mandat ligjor”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te protestat në Tiranë, duke iu referuar një imazhi të përhapur në rrjetet sociale
“Qytetarët kishin arsyet për të protestuar, por ata papritur ishin duke protestuar kundër një fantazme tashmë. Frika u bë zemërim, zemërimi u bë mobilizim dhe fabrikimi u bë realitet” tha ai.


