Sulmuesi i Përfaqësueses së Zvicrës, Breel Embolo, nuk do të luajë në ndeshjet e ardhshme të kombëtares, pas publikimit të një vendimi gjyqësor lidhur me përdorimin e certifikatave të falsifikuara të COVID-19.
Embolo, në vitin 2021, kishte përdorur dy certifikata të falsifikuara të testit për COVID-19. Sipas raportimeve të mediumeve zvicerane, dokumentet ishin siguruar përmes një personi të lidhur me një laborator në Basel.
Në nëntor të vitit 2025, prokuroria e Baselit e dënoi futbollistin me një dënim financiar me kusht prej 20 ditësh, me nga 3 mijë franga zvicerane për ditë, në total 60 mijë franga.
Embolo e ka pranuar vendimin dhe ka marrë përgjegjësinë për veprimet e tij.
Pas publikimit të rastit, Federata e Futbollit e Zvicrës ka vendosur që 29-vjeçari të mos i bashkohet pjesës tjetër të skuadrës për ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Në të njëjtin rast është përmendur edhe kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, i cili gjithashtu është përballur me çështje që lidhen me certifikatat e COVID-19.


