Hamza: Mbrojtja e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe e së vërtetës për luftën të jetë prioritet shtetëror

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka kërkuar që institucionet e Kosovës të veprojnë pas aktgjykimit dënues të 16 shtatorit në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, Hamza tha se mbrojtja e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe kundërshtimi i, siç e quajti ai, narrativave që e shtrembërojnë luftën çlirimtare, duhet të jenë ndër prioritetet kryesore të partisë dhe shtetit.

“Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre u është bërë një padrejtësi e madhe. Aktgjykimi ndaj tyre është i padrejtë, i papranueshëm dhe i ndikuar politikisht. Përgjegjësia jonë e parë është që të mos i lëmë vetëm”- tha Hamza.

Ai theksoi se angazhimi për mbrojtjen e tyre duhet të bëhet brenda ligjit dhe institucioneve, duke u siguruar mbrojtjen më të mirë të mundshme në fazat e ardhshme të procesit.

Sipas Hamzës, aktgjykimi ka pasoja politike dhe historike, të cilave Kosova duhet t’u përgjigjet me “fakte, dokumente, veprim institucional dhe diplomaci”.

“UÇK-ja dhe Perëndimi ishin aleatë në vitin 1999. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-ja dhe aleatët tanë perëndimorë ishin pjesë e përpjekjes së përbashkët që i dha fund luftës dhe hapi rrugën për lirinë e Kosovës. Prandaj, çdo deformim i historisë së luftës sonë prek edhe historinë e kësaj aleance”- u shpreh ai.

Duke folur për projektligjin e propozuar nga PDK-ja, Hamza tha se nisma synon rishikimin e fushëveprimit të Dhomave të Specializuara dhe jo mbylljen e tyre.

Sipas tij, projektligji parasheh që çështjet që nuk lidhen me pretendimet e raportit të Dick Martyt të transferohen në sistemin e drejtësisë në Kosovë, së bashku me dosjet, provat dhe materialet përkatëse.

Hamza tha se nisma parasheh edhe mundësinë e monitorimit nga organizata ndërkombëtare profesionale dhe të pavarura të standardeve të gjykimit të drejtë, kohëzgjatjes së proceseve, kushteve të paraburgimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Ai sqaroi se propozimi, sipas tij, nuk ndërhyn në fazën aktuale të proceseve, të cilat vazhdojnë deri në përfundim të Apelit.

“Tani duhet të veprohet edhe si shtet. Kuvendi duhet ta bëjë pjesën e vet. Qeveria duhet ta bëjë pjesën e vet. Edhe PDK do ta bëjë pjesën e vet” – deklaroi ai.

Hamza në fund bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar për 1 tetor në Prishtinë, e cila pritet të nisë në ora 16:00.

“Le ta ngrisim bashkë zërin kundër padrejtësisë më 1 tetor” – tha kryetari i PDK-së.

Në fillim të mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së u mbajt një minutë heshtje në nderim të humanistes dhe intelektuales Flora Brovina, e cila ndërroi jetë pak ditë më parë.

Më 21.09.2026, Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës e ka proceduar në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Vendimi i Gjykatës Speciale ka nxitur reagime të shumta në Kosovë gjatë ditëve të fundit, ndërsa kundërshtimet janë shprehur përmes deklaratave publike dhe protestave.

Katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan nga Gjykata Speciale më 16.09.2026. Ky dënim po përcillet me protesta të përditshme në Kosovë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Gjykata e shpalli atë përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm gjatë luftës në Kosovë.

Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim. Ai u shpall fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim. Gjykata e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim. Trupi gjykues e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Ky dënim është shqiptuar në shkallën e parë dhe palët kanë të drejtë ankese në Apel.