Gashi zhvillon takim lamtumirës me ambasadorin britanik Matthew Lawson

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka zhvilluar një takim lamtumirës me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Matthew Lawson, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

Gashi bëri të ditur se gjatë takimit është theksuar rëndësia e partneritetit shumëvjeçar dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Shpreha mirënjohjen time për angazhimin dhe kontributin e tij në avancimin e bashkëpunimit dypalësh, si dhe për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i jep vazhdimisht vendit tonë dhe proceseve të tij demokratike dhe reformuese”, deklaroi Gashi.

Kryetari i Kuvendit tha se ambasadorit Lawson i ka uruar sukses në angazhimet e tij të ardhshme profesionale.

“Me bindjen se miqësia dhe bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojnë të zhvillohen dhe të thellohen”, u shpreh Gashi.

Takimi u zhvillua në kuadër të përfundimit të mandatit të ambasadorit britanik në Maqedoninë e Veriut.