Angelina Jolie shet rezidencën historike në Los Angeles për 24.75 milionë dollarë

Angelina Jolie ka shitur rezidencën e saj historike në Los Angeles për 24.75 milionë dollarë, rreth pesë muaj pasi e nxori në treg.

Sipas një burimi të cituar nga “People”, aktorja 51-vjeçare ka përfunduar shitjen e pronës prej rreth dy akrash në zonën Los Feliz. Lajmi u raportua fillimisht nga TMZ=ja.

Jolie e kishte nxjerrë rezidencën në shitje në maj, me një çmim fillestar prej 29.85 milionë dollarësh. Ajo e kishte blerë pronën në qershor të vitit 2017 për 24.5 milionë dollarë.

Prona ka një rëndësi të veçantë historike, pasi dikur ishte në pronësi të regjisorit legjendar të Hollywood-it, Cecil B. DeMille. Rezidenca, e projektuar fillimisht nga arkitekti B. Cooper Corbett në vitin 1913, u ble nga DeMille në vitin 1916 dhe familja e tij e mbajti deri në fund të viteve 1980.

Rezidenca kryesore ka gjashtë dhoma gjumi dhe dhjetë banjo. Kompleksi përfshin gjithashtu një shtëpi mysafirësh-studio me hyrje private dhe portë, një pishinë rreth 12 metra të gjatë, një shtëpi të veçantë me pishinë, palestër dhe garazh të veçantë. Sipas Los Angeles Times, në bodrum ndodhen edhe dhoma për stafin.

E rrethuar nga pemë shekullore, prona ofronte privatësi të lartë, ndërsa nga rezidenca mund të shihen Hollywood Hills, tabela e Hollywood-it dhe observatori “Griffith”.

Jolie u zhvendos në këtë shtëpi në vitin 2017, rreth një vit pasi kërkoi divorcin nga Brad Pitti. Aktorja paraqiti kërkesën për divorc në shtator 2016, pas rreth dy vjetësh martesë dhe gati 11 vjetësh lidhjeje.

Çifti ka gjashtë fëmijë, Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakët Knox e Vivienne. Jolie kishte deklaruar më herët se do të ishte e gatshme të largohej nga Los Angelesi pasi binjakët të bëheshin madhorë. Knox dhe Vivienne mbushën 18 vjeç në korrik.