Administrata e presidentit Donald Trump njoftoi dje kufizime të reja për vizat, që synojnë personat që përfshihen ose ndihmojnë në të ashtuquajturin “turizmin e lindjeve”. Me këtë term nënkuptohet udhëtimi i një gruaje në SHBA kryesisht për të lindur fëmijën atje, me synimin që fëmija të marrë shtetësinë amerikane.
Departamenti amerikan i Shtetit thotë se ky qëllim nuk është bazë e lejueshme për marrjen e vizës turistike.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se masat do të synojnë persona dhe rrjete që organizojnë në mënyrë komerciale udhëtime të tilla.
Këtu përfshihen, persona që organizojnë këto udhëtime kundrejt pagesës; ndërmjetës që ndihmojnë aplikantët për viza dhe dyshohen se i mësojnë si të japin informacione të rreme gjatë aplikimit dhe ofrues të huaj të shërbimeve mjekësore që ndihmojnë në organizimin e udhëtimeve për të lindur në SHBA.
Rubio i akuzoi këto rrjete se u kërkojnë klientëve dhjetëra mijëra dollarë, për të organizuar lindjen në SHBA, me synimin që fëmija të marrë shtetësinë amerikane.


