Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka bërë të ditur se Tetova ka pritur një takim ndërkomunal me përfaqësues të misioneve të OSBE-së në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri, si dhe kryetarin e Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini. Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit institucional për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
“Tetova nikoqire e dialogut ndërkomunal për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore!
Sot, në Tetovë, mirëpritëm përfaqësues të Misionit të OSBE-së në Shkup, Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, si dhe kryetarin e Komunës së Dragashit, z. Bexhet Xheladini. Në fokus të këtij takimi ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe shkëmbimi i përvojave në trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore!
Komuna e Tetovës, përmes bashkëpunimit me Qendrën e Strehimit „Etika“, Qendrën për Këshillim Psikologjik „Cortex“, Qendrën për Punë Sociale, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe organizatat e shoqërisë civile, po punon për mbështetje, mbrojtje dhe fuqizim të viktimave. Besojmë se ky dialog është një hap i rëndësishëm drejt një bashkëpunimi edhe më konkret ndërmjet Tetovës, Dragashit dhe Kukësit, me një qëllim të përbashkët, institucione më të koordinuara dhe mbështetje më të mirë për qytetarët!”, deklaroi Kasami.


