Filipçe: Maqedonia nuk është në shitje, LSDM është kundër planit të ri hapësinor për shtetin

Grupi i deputetëve të LSDM-së nuk e mbështetë dhe do ta bllokojë miratimin e planit të ri hapësinor në të cili është paraparë hapja e minierave të reja. Deputeti dhe kreu i LSDM-së, Venko Filipçe sot, në konferencë për shtyp theksoi se Maqedonia nuk është në shitje dhe se vendi nuk mund të shitet për interesa të dikujt dhe në llogari të shëndetit të qytetarëve. Kërkoi tërheqjen e planit, i cili sot për herë të parë në debat publik do të prezantohet në Strumicë.

Filipçe tha se me projeksionet e Ministrisë së Mjedisit jetësor dhe Agjencisë për planifikim hapësinor në planin e ri parashihen lokacione për miniera në Ilovicë, Kazandol dhe, siç thotë ai, Plavicë, Lluke dhe Kadicë.

“Po konfirmohet ajo që e flasim këtë perioudhë se kjo Qeveri dukshëm është e paaftë të përballet me menaxhimin e vendit duke e çuar në humnerë ekonomike dhe financiare. Tani nuk i mbetet asgjë tjetër, përveç se ta shesë vendin. Dëshiroj qartë dhe zëshëm të porosis – Maqedonia nuk është në shitje. Nuk mund ta shesin tokën që u takon të gjithë qytetarëve për interesa financiare të tyre dhe të tjerëve”, tha Filipçe.

Potencoi se për shkak të minierave, ekziston rreziku për ndotje të truallit dhe të mjedisit jetësor në përgjithësi, ndërkaq me atë do të rrezikohet edhe shëndeti i njerëzve.

Kërkoi nga Qeveria ta tërheqë këtë plan duke potencuar se ata në njëfarë mënyre, e madje edhe fizikisht me mburojë të gjallë, do të luftojnë kundër hapjes së minierave.

Filipçe tha se për herë të parë Qeveria ka dhënë leje edhe për hulumtime gjeologjike në Kozhuf.

Duke u përjgigjur në pyetje të gazetarëve lidhur me brifingun e sotëm me mediumet të një pjese të LSDM-së, ai tha se strategjia e pushtetit është ta zvogëlojë opozitën, në mënyrë që më pas të mund të sundojë. Filipçe u bëri thirrje sërish këtyre anëtarëve të LSDM-së t’i bashkohen partisë. Se janë “blerë”, sipas tij, është dëshmia – tenderi që Nikolla Qurkçiev e mori nga një ndërmarje shtetërore. U kthye në ZNAM-in e Maksim Dimitrievskit për të cilën tha se është formuar, ndërsa më pas iu bashkua Qeverisë.

Qëndrimi i LSDM-së për Kodin zgjedhor mbetet i njejtë, përkatësisht ata do të pranojnë vetëm ndryshime me rekomandime të sendërtuara të OSBE/ODIHR-së, ndërsa Filipçe tha se nuk pranojnë votim të diasporës me postë, duke u druajtur nga keqpërdorimet.

Konfirmoi se sot do t’u dërgohet letër ambasadave të BE-së lidhur me lejet për hapje të mediumeve të huaja, e gjithashtu do të parashtrohet padi penale për drejtorin e ASHAAM-së, Zoran Trajçevski. ASHAAM, sipas tij, ka dhënë leje për “Arena M” si për medium të huaj.

Filipçe e kritikoi edhe propozimin për rregulloren e re për kontroll të pushimeve mjekësore, duke cekur se ka diçka që pushimet mjekësore janë shtatë ditë.