Mickoski: Integrimi evropian, siguria dhe bashkëpunimi rajonal në fokus

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në kuadër të vizitës në Nju Jork, zhvilloi disa takime bilaterale me përfaqësues të lartë, në të cilat u shkëmbyen mendime për perspektivën evropiane të vendit, bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe sfidat aktuale globale.

Siç njoftuan nga Qeveria, kryeministri Mickoski gjatë ditës së djeshme zhvilloi takim me presidentin e Republikës së Finlandës, Aleksander Stubb, me të cilin bisedoi për rëndësinë e paqes, dialogut dhe lidershipit të përgjegjshëm, si dhe për respektimin e të drejtës ndërkombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit shumëpalësh. Në takim u theksua edhe rëndësia e përpjekjeve të përbashkëta për ndërtimin e një Evrope të qëndrueshme dhe të sigurt.

Në fokus të takimit bilateral me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishin avancimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, thellimi i bashkëpunimit rajonal, si dhe sfidat dhe mundësitë e përbashkëta për zhvillimin e të dyja shteteve.

“Kryetari i Qeverisë Mickoski zhvilloi takim bilateral edhe me kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në të cilin u shkëmbyen mendime për perspektivën evropiane të Maqedonisë, vazhdimin e proceseve reformuese në përputhje me standardet evropiane, avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal”, qëndron në kumtesë.

Kryeministri Mickoski zhvilloi gjithashtu takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, në të cilin u shqyrtuan sfidat aktuale rajonale, mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe prioritetet e përbashkëta të orientuara drejt një rajoni të qëndrueshëm dhe të sigurt.

Mickoski me një sërë takimesh në Nju Jork: Integrimi evropian, siguria dhe bashkëpunimi rajonal në fokus

Takimet në Nju-Jork konfirmojnë përcaktimin e Maqedonisë për një rol aktiv dhe konstruktiv në komunitetin ndërkombëtar, forcimin e partneriteteve dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe rajonalë.

Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj reformave, integrimit evropian, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe ndërtimit të një rajoni të qëndrueshëm, të sigurt dhe të begatë.