Kam nderin t’ju përshëndes, në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut,
në hapjen e këtij aktiviteti të rëndësishëm, Tryezës së Rrumbullakët „Avancimi i paritetit dhe
përballja me dhunën digjitale ndaj grave në politikë në Maqedoninë e Veriut“.
Kjo Tryezë e Rrumbullakët organizohet në partneritet me Unionin Ndërparlamentar, në
kuadër të projektit „Mbështetja e pjesëmarrjes politike të grave në parlament dhe përmes
parlamentit“, dhe ky partneritet, në vetvete, dëshmon përkushtimin e Kuvendit tonë ndaj
parimeve të barazisë gjinore dhe demokracisë gjithëpërfshirëse.
Pariteti gjinor në jetën politike nuk është çështje që u përket vetëm grave. Ai është çështje
që përcakton cilësinë, legjitimitetin dhe përfaqësimin e çdo institucioni demokratik. Një
parlament në të cilin mungon zëri i gjysmës së popullsisë është një parlament që nuk i
dëgjon në tërësi nevojat dhe prioritetet e qytetarëve të tij.
Gjatë dekadave të fundit, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka shënuar
përparim të dukshëm sa i përket përfaqësimit të grave dhe sot flasim për një nivel të
pjesëmarrjes që është ndër më të lartët në rajon. Kjo është rezultat i reformave ligjore, por
edhe i punës së vazhdueshme të organeve të Kuvendit të përkushtuara ndaj barazisë
gjinore, përfshirë Komisionin për Mundësi të Barabarta të Grave dhe Burrave dhe Klubin e
Deputeteve.
Megjithatë, shifrat në vetvete nuk janë të mjaftueshme. Jemi të vetëdijshëm se pjesëmarrja
politike e grave sot përballet me një sfidë të re dhe serioze, e ajo është dhuna digjitale dhe
dezinformimi i drejtuar ndaj grave në politikë. Ky fenomen i dekurajon gratë të përfshihen
në politikë, i sulmon ato që tashmë janë pjesë e saj dhe, në planin afatgjatë, e cenon
pluralizmin e demokracisë sonë. Prandaj, është e domosdoshme që ky problem të trajtohet
me të njëjtin seriozitet me të cilin trajtohet çdo çështje tjetër e sigurisë institucionale dhe
sundimit të ligjit.
Gjatë dy ditëve të ardhshme, kjo Tryezë e Rrumbullakët do të ofrojë hapësirë për dialog të
hapur dhe konstruktiv ndërmjet deputeteve dhe deputetëve, përfaqësuesve të Qeverisë,
organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile. Do të diskutojmë për kornizat
ndërkombëtare dhe rajonale për paritetin, për stereotipet dhe normat shoqërore që e
pengojnë pjesëmarrjen politike të grave, si dhe për mënyrat se si institucionet tona,
përfshirë vetë Kuvendin, mund t’u përgjigjen më mirë seksizmit, ngacmimit dhe dhunës ndaj
grave në politikë.
Dua të theksoj se ky dialog nuk duhet të kuptohet si kritikë e drejtuar ndaj ndonjë
institucioni konkret apo ndaj ndonjë subjekti politik. Përkundrazi, kjo është një ftesë për
reflektim të përbashkët dhe përgjegjësi të përbashkët. Sfidat për të cilat flasim sot i
tejkalojnë kufijtë partiakë dhe, pikërisht për këtë arsye, zgjidhjet duhet t’i kërkojmë së
bashku, me çiltërsi, mbi bazën e fakteve dhe me respekt për pikëpamjet e ndryshme.
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si shtëpi ligjvënëse e të gjithë qytetarëve, e
njeh përgjegjësinë e tij të dyfishtë në këtë proces. Nga njëra anë, ne jemi institucioni që
miraton ligje dhe ushtron mbikëqyrje mbi politikat e pushtetit ekzekutiv në fushën e barazisë
gjinore. Nga ana tjetër, ne vetë jemi vend pune dhe hapësirë publike në të cilën duhet të
zbatohen standardet më të larta të respektit dhe dinjitetit, për deputetet, për të punësuarit
në Shërbimin e Kuvendit dhe për çdo qytetar që është në kontakt me këtë institucion.
Pikërisht për këtë arsye, temat në të cilat do të përqendrohemi gjatë dy ditëve të ardhshme
nuk kanë të bëjnë vetëm me politikat „atje jashtë“, por edhe me ne vetë, si institucion.
Pariteti gjinor nuk është çështje e vullnetit të mirë apo e përfaqësimit simbolik. Ai është
çështje e cilësisë së politikave publike. Hulumtimet në mbarë botën tregojnë se parlamentet
me pjesëmarrje më të madhe dhe më thelbësore të grave hartojnë zgjidhje ligjore më të
bazuara, më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme, veçanërisht në fushën e politikave
sociale, arsimit dhe shëndetësisë. Prandaj, për paritetin flasim jo si qëllim në vetvete, por si
mjet për një qeverisje më të mirë në interes të të gjithë qytetarëve, grave dhe burrave.
Njëkohësisht, nuk mund t’i injorojmë pengesat që ende ekzistojnë. Stereotipet për rolin e
gruas në diskursin publik, përfaqësimi i pamjaftueshëm i grave në pozitat më të larta
drejtuese, si dhe format e reja të dhunës digjitale dhe dezinformimit, vazhdojnë ta
vështirësojnë rrugën e shumë grave që dëshirojnë të hyjnë ose të mbeten aktive në politikë.
Kjo Tryezë e Rrumbullakët është konceptuar pikërisht si hapësirë ku këto sfida do të
trajtohen hapur, pa tabu dhe pa politizim, me një qëllim të vetëm – të gjejmë zgjidhje të
përbashkëta dhe të zbatueshme.
Vlen të kujtojmë se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut prej një periudhe të
gjatë investon në këtë fushë. Komisioni për Mundësi të Barabarta të Grave dhe Burrave, i
themeluar në vitin 2006, dhe Klubi i Deputeteve, i cili funksionon prej më shumë se njëzet
vjetësh, janë shembull se si një trup institucional mund të krijojë hapësirë të qëndrueshme
për promovimin e çështjeve të barazisë gjinore, përtej dinamikës së përditshme politike. Së
fundmi, Kuvendi miratoi edhe Planin e ri të aksional për avancimin e barazisë gjinore për
periudhën 2025–2027, i cili përmban masa konkrete edhe në fushën e parandalimit të
seksizmit dhe ngacmimit brenda vetë institucionit.
Megjithatë, jemi të vetëdijshëm se ligjet dhe strategjitë, sado mirë të jenë të hartuara, nuk
janë të mjaftueshme në vetvete. Nevojitet bashkëpunim i vazhdueshëm ndërmjet pushtetit
ligjvënës dhe pushtetit ekzekutiv, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile, në
mënyrë që politikat të zbatohen në praktikë dhe të sjellin ndryshim real në jetën e grave që
dëshirojnë të marrin pjesë në jetën politike dhe publike të vendit tonë. Pikërisht për këtë
arsye, aktiviteti i sotëm mbledh këtë rreth të gjerë aktorësh, për të diskutuar hapur gjatë
këtyre dy ditëve, për të shkëmbyer përvojat dhe për të përcaktuar rekomandime konkrete
dhe të zbatueshme.
Më lejoni që, në fund, ta falënderoj Unionin Ndërparlamentar për partneritetin dhe
mbështetjen shumëvjeçare. Falënderoj të gjithë mysafirët tanë që kanë ardhur sot për të
ndarë njohuritë dhe përvojat e tyre, si dhe falënderoj koleget dhe kolegët e mi deputete dhe
deputetë për praninë dhe përkushtimin e tyre.
Partneritet me Unionin Ndërparlamentar, si dhe praninë e kaq shumë përfaqësuesve të
institucioneve dhe të shoqërisë civile sot, e shoh si një sinjal të qartë se çështja e paritetit
gjinor dhe sigurisë së grave në politikë kërkon përkushtimin tonë të përbashkët dhe
afatgjatë, jo vetëm gjatë këtij aktiviteti, por edhe shumë kohë pas përfundimit të tij.
Me besimin se diskutimet gjatë këtyre dy ditëve do të sjellin ide dhe rekomandime konkrete
që do ta avancojnë pjesëmarrjen politike të grave në vendin tonë, e shpall këtë aktivitet
zyrtarisht të hapur.
Ju dëshiroj punë të suksesshme.





