Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, përmes një shkrimi ka reaguar për skandalit në Shqipëri ku gjykata ka vendosur masë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra të drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, e cila më parë të njejtën detyrë kishte pasur edhe në Kosovë.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Azizi e cilëson rastin si një “kambanë alarmi” për sigurinë kombëtare.
“Të vendosësh njerëz në krye të institucioneve më të ndjeshme të sigurisë, ndërkohë që ndaj disa prej tyre ngrihen akuza apo dyshime për lidhje me shërbime serbe dhe krimin e organizuar, nuk është një çështje që mund të kalohet me heshtje. Është kambanë alarmi për të gjithë ne”, shkruan Azizi.
Shkrimi i plotë:
Të vendosësh njerëz në krye të institucioneve më të ndjeshme të sigurisë, ndërkohë që ndaj disa prej tyre ngrihen akuza apo dyshime për lidhje me shërbime serbe dhe krimin e organizuar, nuk është një çështje që mund të kalohet me heshtje. Është kambanë alarmi për të gjithë ne.
Nuk bëhet fjalë për luftë partiake dhe as për të shpallur dikë “patriot” apo “tradhtar” pa prova dhe pa vendime gjyqësore. Por bëhet fjalë për një pyetje që duhet të na zgjojë:
Si është e mundur që, pas gjithë sakrificave të shqiptarëve për të ndërtuar shtetet dhe institucionet tona, informacioni më i ndjeshëm i shtetit t’u besohet njerëzve mbi të cilët ekzistojnë dyshime kaq serioze?
Nëse këto pretendime vërtetohen, atëherë kemi përpara një problem shumë më të madh se individët. Kemi problem me sistemin, mekanizmat e kontrollit dhe përgjegjësinë politike të atyre që i kanë vendosur në këto pozita.
Ne nuk duhet të zgjohemi vetëm kur dëmi të jetë bërë.
Serbia po punon me strategji dhe sukseset diplomatike në arenën ndërkombëtare nuk mund të shpjegohet vetëm me propagandën e saj. Ajo duhet të na bëjë të pyesim edhe për gabimet, dobësitë dhe dështimet tona institucionale.
Edhe zhvillimet rreth proceseve gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së duhet të na shërbejnë si moment reflektimi.
Nëse nuk zgjohemi sot, nesër mund të jetë tepër vonë.
Shteti nuk mbrohet me patriotizëm folklorik.
Shteti mbrohet me institucione të forta, njerëz profesionistë, inteligjencë të aftë dhe mekanizma seriozë kontrolli.
Institucionet e sigurisë nuk janë pronë e partive, qeverive apo individëve.
Janë mburoja e shtetit.
Prandaj kjo nuk është kohë për amulli. Është kohë për zgjim, përgjegjësi dhe reflektim kombëtar.


