Në kuadër të vizitës zyrtare në Ankara, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, realizoi sot një takim me homologun e tij turk, ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy.
Takimi u zhvillua në atmosferë miqësore dhe të ngrohtë, ku u diskutua për marrëdhëniet bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, si dhe për mundësitë e thellimit të tyre, veçanërisht në fushat e kulturës dhe turizmit. Ministrat shkëmbyen mendime për funksionimin e Qendrave Kulturore‑Informative në Shkup dhe Stamboll, projektet aktuale si ndërtimi i Teatrit Turk në vendin tonë, si dhe nismat për intensifikimin e promovimit turistik.
U theksua edhe bashkëpunimi i suksesshëm me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), përmes së cilës janë realizuar projekte për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore osmane, ndërsa u konfirmua mbështetja për mbrojtjen e objekteve të tjera në periudhën e ardhshme.
Dy shtetet kanë bashkëpunim të shkëlqyer edhe në kuadër të UNESCO‑s, i cili u reflektua me aplikimet multinacionale për përfshirjen e dy elementeve në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.
Gjatë vizitës zyrtare, ministri Sulejmani vizitoi edhe Muzeun Anatolian të Civilizimeve dhe zhvilloi takime me personalitete nga jeta publike dhe politike e Turqisë.






