Kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, në emisionin e mbrëmshëm Click Plus hodhi poshtë zërat për një kalim të mundshëm të tij në VLEN. Shabani tha se nuk ka pasur asnjë takim apo bisedë politike me përfaqësues të VLEN-it. Shabani shtoi se do ta vazhdojë mandatin deri në fund, duke respektuar besimin e marrë nga qytetarët.
“Nuk kemi pasur ndonjë takim të flasim ndonjëherë politikisht, nuk e di si e ka thënë zoti Kasami, me cilin e ka biseduar, nuk jam kompetent. Me mua, sigurisht që ne nuk jemi të të njëjtit nivel nëse flasim në aspekt politik. Nëse ka diçka të tillë, unë nuk kam ndonjë informacion. 7-30 Të jeni të sigurt, do të vazhdoj të jem kryetar komune aty ku kam marrë mandat. Unë kam mandatin e tre viteve e gjysmë, sigurisht kam marrë besimin e qytetarëve dhe do të vazhdoj ta mbaj deri në fund. Nëse flisni personalisht për mua, të jeni të sigurt se as ka pasur bisedime, as nuk do të ketë dhe as nuk më është ofruar ndonjë post”, tha Isen Shabani nga ASH.
Shabani thotë se ASH nuk është e interesuar të bëhet pjesë e Qeverisë aktuale, edhe nëse do të kishte ofertë. Bisedimet, sipas tij, mund të zhvillohen vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme, me mandatarin e qeverisë së re.
Isen Shabani thotë se pas zgjedhjeve në Bërvenicë, Aleanca për Shqiptarët do të fokusohet në konsolidimin e subjektit. Sipas tij, kongresi i ASH-së pritet të mbahet më 22 ose 24 dhjetor, ndërsa aktualisht në garë për kryetar është vetëm Arben Taravari. Shabani thotë se synimi është që ASH-ja të rikthehet si një Aleancë e fuqishme dhe e konsoliduar.


