Shpërthimi i rëndë i meningjitit në Kent, shkencëtarët zbulojnë arsyen

Shkencëtarët kanë zbuluar arsyen pse shpërthimi i meningjitit B në Kent të Britanisë së Madhe ishte kaq i rëndë. Sipas ekspertëve, bakteret përgjegjëse kishin marrë materiale gjenetike nga baktere të tjera që gjenden natyrshëm në fytin e disa njerëzve.

Ky ndryshim krijoi një variant të ri të bakterit, i cili u përhap me shpejtësi dhe shkaktoi raste të rënda të sëmundjes, veçanërisht mes të rinjve që frekuentonin klubet e natës.

Më shumë se 20 persona, kryesisht studentë, u infektuan gjatë shpërthimit në mars. Të gjithë kërkuan trajtim në spital, ndërsa nëntë prej tyre përfunduan në kujdes intensiv. Dy persona humbën jetën.

Ekspertët e Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar dhe Universitetit të Oksfordit analizuan ADN-në e bakterit dhe arritën në përfundimin se ndryshimet gjenetike mund ta kenë bërë atë më të aftë për të shkaktuar sëmundje të rëndë.

Shpërthimi lidhet me një klub nate në Canterbury, ku kontakti i ngushtë mes të rinjve, përfshirë puthjet dhe ndarjen e pijeve apo cigareve elektronike, favorizoi përhapjen e infeksionit.

Ekspertët thonë se ndryshime të tilla te bakteret janë të rralla dhe të paparashikueshme, por mund të ndodhin përsëri. Sipas tyre, vaksina kundër meningjitit që ofrohet aktualisht për të rinjtë mbron edhe ndaj këtij varianti.

Pas shpërthimit në Kent, autoritetet nisën një program vaksinimi për të rinjtë, ndërsa rekomandimet e reja parashikojnë që vaksina t’u ofrohet adoleshentëve rreth moshës 15 vjeç.