Më pak aksidente në Pollog

Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë raporton përmirësim të dukshëm të sigurisë në komunikacion për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026. Statistikat tregojnë rënie prej 10% të numrit të personave të lënduar dhe një rënie drastike prej 60% të aksidenteve të shkaktuara nga alkooli.

Gjendja e sigurisë në komunikacion në rajonin që mbulon Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka shënuar një përmirësim të dukshëm gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare, numri i aksidenteve, i viktimave dhe i dëmeve materiale ka pësuar rënie, megjithatë shpejtësia tej normave të lejuara mbetet faktori më kritik për jetën e qytetarëve në rrugë. Nga SPB-Tetovë bëjnë të ditur se përgjatë kësaj periudhe gjashtëmujore janë regjistruar gjithsej 500 aksidente trafiku. Prej tyre, pjesa më e madhe kanë ndodhur në Tetovë, ndërsa pjesa tjetër në rajonin e Gostivarit.

“Në zonën që mbulon SPB-Tetovë janë evituar gjithsej 500 aksidente trafiku. Prej tyre, pjesa më e madhe ose 323 aksidente kanë ndodhur në zonën e Stacionit Policor në Tetovë, ndërsa 177 aksidente janë regjistruar në zonën që mbulon Stacioni Policor në Gostivar”, thotë zëdhënësi i SPB-Tetovë, Fatmir Rexhepi.

Sa i përket pasojave në njerëz, gjatë këtij viti fatkeqësisht janë regjistruar dy viktima, të dyja në një aksident të vetëm të rëndë në rajonin e Gostivarit. Për fat të mirë, rajoni i Tetovës nuk ka regjistruar asnjë humbje jete. Krahas personave që humbën jetën, numri i të lënduarve në aksidente në rajonin e Pollogut është i lartë.

“Në 275 aksidente me pasoja më të rënda, janë lënduar gjithsej 390 persona, prej të cilëve 271 persona në zonën e Tetovës dhe 119 persona në zonën e Gostivarit. Numri i përgjithshëm i person personave që kanë pësuar është 392”, thekson Rexhepi. Aksidentet kanë lënë pas edhe pasoja të rënda financiare. Dëmi i përgjithshëm material kap shifrën prej mbi 26.5 milionë denarë, ku në Tetovë dëmi është rreth 15.3 milionë denarë, kurse në Gostivar mbi 11.2 milionë denarë. Edhe pse policia nuk specifikon akset apo rrugët më të rrezikshme, statistikat e tyre nxjerrin në dritë papërgjegjshmërinë e shoferëve si shkakun kryesor të aksidenteve.

Shpejtësia e madhe, mosrespektimi i përparësisë dhe alkooli janë arsyet kryesore të aksidenteve në rrugët e Pollogut. “Si rrezik më i madh veçohet shpejtësia e madhe, e cila është shkak për madje 174 aksidente trafiku (118 në Tetovë dhe 56 në Gostivar). Shkaku i dytë më i shpeshtë është mosrespektimi i përparësisë së kalimit me 67 raste”, sqarojnë nga SPB Tetovë, duke shtuar se 26 aksidente kanë ndodhur si pasojë e mosmbajtjes së krahut të lëvizjes, ndërsa në Gostivar janë regjistruar edhe dy raste të drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit.

Për t’iu përgjigjur kësaj gjendjeje, policia ka ndërmarrë masa të rrepta ligjore. Gjatë këtij gjashtëmujori janë ngritur 291 kallëzime penale kundër 302 kryerësve për 376 vepra penale në trafik, ku prijnë rastet për “Drejtim të pakujdesshëm të automjetit” (196) dhe “Rrezikim të sigurisë në trafik” (143). Pavarësisht shifrave shqetësuese, krahasimi me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar 2025 tregon një trend pozitiv dhe përmirësim të përgjithshëm të sigurisë rrugore në Pollog. Sipas të dhënave, numri i përgjithshëm i aksidenteve është ulur për 6 për qind, aksidentet me pasoja të rënda kanë rënie prej 2 për qind, ndërsa numri i aksidenteve me vdekje ka rënë për madje 67 për qind. Sipas policisë, numri i personave të lënduar ka shënuar rënie prej 10 për qind, ndërsa dëmi material është zvogëluar nga 34.6 milionë denarë në 26.5 milionë denarë.

Përmirësim vërehet edhe tek shkaqet e aksidenteve të trafikut, respektivisht, aksidentet nga shpejtësia kanë rënë për 14 për qind, ato nga mosrespektimi i përparësisë për 3 për qind, ndërsa aksidentet nën ndikimin e alkoolit kanë shënuar një rënie drastike prej 60 për qind.