Kurti në takim me kongresistin amerikan: Vendimi i Speciales ka pasaktësi faktike e gabime ligjore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me kongresistin amerikan Mike Lawle.

Kurti ka shkruar në X se gjatë takimit me Lawle, ka diskutuar edhe për aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se vendimi përmban pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore.

Kurti ka thënë se presin që këto të korrigjohen në Apel.

“Aktgjykimi shpërfilli pretendimet fyese dhe të pabesueshme të raportit të Dick Martyt për trafikimin e organeve, të cilat ishin aq të pabaza saqë as nuk u përfshinë në aktakuzën e Prokurorisë; gjithashtu, ai hodhi poshtë kategorikisht pretendimet e Prokurorisë për krime kundër njerëzimit. Megjithatë, gjetjet e mbetura u bazuan në pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime juridike”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se në takim kanë diskutuar edhe për situatën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“I kërkova mbështetjen e tij për trajtimin e çështjes së pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi, i cili ndikon në të drejtat e tyre të votimit dhe në qasjen në dokumentet zyrtare. Në takim mori pjesë edhe deputeti Shaip Kamberi, i vetmi anëtar shqiptar i Kuvendit Kombëtar të Serbisë”, ka shkruar Kurti.
Më 16 shtator Gjykata Speciale i ka dënuar ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Me nga 25 vjet burgim janë dënuar Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi, me 18 vjet burgim Kadri Veseli dhe me 13 Rexhep Selimi.