VLEN: Për Ali Ahmetin drejtësia është kumar

VLEN ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili tha se ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi është i pafajshëm dhe do të shpallet i pafajshëm, duke theksuar se nuk ka shkelur ligjet e vendit.

Komunikata e plotë

Partia që e mbolli bixhozin në çdo lagje, tani po luan kumar edhe me drejtësinë.

Ali Ahmeti, si duket, tashmë e ka mbushur tiketën. Artan Grubi, sipas tij, është i pafajshëm dhe do të shpallet i pafajshëm. Gjykimi vazhdon, provat ende nuk janë nxjerrë në tavolinë, por Aliu tashmë e ka qëlluar rezultatin.
Deri dje thoshte se Grubi duhet të përgjigjet nëse ia ka keqpërdorur besimin. Tani nuk ka më “nëse”. Ahmeti e ndërroi pllakën. Nga paralajmërimi për përgjegjësi kaloi te pafajësia e plotë.

Çfarë ndryshoi ndërkohë? Pse Ahmeti e ndryshon qëndrimin sa herë që Grubit i ngushtohet rrethi? Po e mbron Grubin apo po përpiqet të mbrojë lëkurën e vet?

Edhe më keq, Ahmeti po garanton pafajësinë e një njeriu që SHBA-ja e futi në listën e zezë pikërisht për përfshirje në procese gjyqësore. Pak si shumë rastësi.

Gjykata nuk është kazinoja politike e BDI-së dhe aktgjykimet nuk shkruhen në selinë e partisë.