Kurti nis në SHBA fushatën kundër vendimit në Hagës, takohet me kongresmenin amerikan Mike Lawler

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në SHBA, është takuar me kongresmenin amerikan Mike Lawler, ku gjatë takimit ka diskutuar për aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se vendimi përmban pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore.

Ai ka theksuar se pretendimet për trafikim organesh të përfshira në raportin e Dick Marty-t nuk u përfshinë në aktakuzë nga Prokuroria dhe se vendimi i injoroi pretendimet fyese dhe të pabesueshme për trafikimin e organeve të raportit të Dick Marty-t, të cilat ishin aq të pabesueshme saqë nuk u ngarkuan as nga Prokuroria.

“Përpara Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, u takova me kongresmenin @RepMikeLawler për të diskutuar marrëdhëniet Kosovë-SHBA, investimet dhe situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

I kërkova mbështetjen e tij për trajtimin e çështjes së pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi, që ndikon në të drejtën e votës dhe në aksesin në dokumentet zyrtare. Në takim mori pjesë gjithashtu deputeti Shaip Kamberi, i vetmi anëtar shqiptar i Kuvendit Kombëtar të Serbisë.

Gjithashtu, diskutuam për aktgjykimin e shpallur javën e kaluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Aktgjykimi injoroi pretendimet fyese dhe të pabesueshme të raportit të Dick Marty-t për trafikimin e organeve, të cilat ishin aq të pabazuara saqë nuk u përfshinë as në akuzat e Prokurorisë; ndërsa gjithashtu hodhi poshtë kategorikisht pretendimet e Prokurorisë për krime kundër njerëzimit. Megjithatë, gjetjet e tjera u bazuan në pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore. Ne presim që këto të korrigjohen plotësisht në apel”, ka shkruar Kurti.