LSDM: Dy vjet nga tradhtia e ZNAM-it, një dashuri – tenderët!

LSDM: Dy vjet nga tradhtia e ZNAM-it, një dashuri – tenderët!

“Kanë kaluar dy vjet nga tradhtia e ZNAM-it. Fillimisht e tradhtuan partinë, ndërsa më pas edhe votuesit”, thuhet në reagimin e LSDM-së opozitare.

“Sot ZNAM-i jep llogari në një kinema me moton: ‘Dy vjet punë. Dy vjet rezultate. Një dashuri’. Por dashuria e tyre e vetme janë tenderët. Maksoja, së bashku me disa ‘patriotë të tenderëve’, ndodhet në kinema. Filmi me gjasë titullohet: ‘Si e tradhtova partinë dhe votuesit për tenderë’. Kjo nuk është dashuri për Maqedoninë, por dashuri për paratë”, deklarojnë nga LSDM-ja.

Sipas partisë opozitare, ZNAM-i u krijua si projekt i Mickoskit për ta dobësuar LSDM-në nga brenda.

“Bëhet fjalë për njerëz që fillimisht e tradhtuan partinë e tyre dhe më pas edhe votuesit që besuan në rrëfimin për reforma në LSDM. Hynë në pushtet dhe u bënë pjesë e grupit të organizuar kriminal të VMRO-së. U bënë pjesë e bandës.

Satelitë. Një votë në Kuvend. Një karrige në institucion. Një tender në komunë. Një tender në Postë. Rezultatet i njeh populli. Maksoja fillimisht i shiti votuesit, më pas Maqedoninë, ndërsa më vonë pasoi edhe parcela për ‘Lidl’”, thuhet në reagim.

Nga LSDM-ja shtojnë se, duke pasur parasysh se Maksim Dimitrievski ka kompani në Bullgari, “mund ta paraqesë veten si investitor të huaj”.

“Tani le të tregojë: kur tashmë e dimë se kolegët, versioni më i avancuar, ‘ZNAM 2.0 për reforma’, kanë marrë 1,6 milionë, sa ka marrë ai për versionin e parë të ZNAM-it?

LSDM-ja nuk ulet në sallën e tyre. LSDM-ja i quan me emrin e tyre të vërtetë. Tradhtia ka një datë. Tani paralajmërohet edhe një datë e dytë, një tubim tjetër ‘për të ardhmen e Mickoskit’, pas disa ditësh.

Ngjarjen e ardhshme le ta organizojnë së bashku. Në vend të kinemasë, le ta mbajnë në Pallatin e Bardhë. Filmin tashmë e dimë.

ZNAM-i nuk është lëvizje, por satelit i Mickoskit. Dy vjet punë për bandën. Dy vjet si pjesë e bandës. Një dashuri e përbashkët – tenderët.

Po vjen koha kur tradhtia ndaj Maqedonisë do të vlerësohet para gjykatës dhe jo para ekranit të kinemasë. Qytetarët nuk shkojnë në kinema për t’i përgëzuar ata që i kanë shitur. Ata do të dalin në zgjedhjet e ardhshme për ta kthyer shtetin në duart e tyre, ndërsa banda do të japë përgjegjësi”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.