Gazetarja Rina Mujku ka thënë se katër ish-krerët e UÇK-së tash përballen me një proces të trefishtë në Dhomat e Specializuara, pas aktgjykimit të shkallës së parë.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Mujku tha se beteja e parë është përgatitja e ankesave, pasi të katër të akuzuarit kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Apelit.
“Duhet me patjetër të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës ta dinë se katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tash e kanë një betejë të trefishtë në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Betejë të trefishtë për shkak se ata tash duhet ta përgatisin apelin. Secili prej tyre ka treguar se do t’i drejtohet Apelit. Fillimisht ata duhet të dërgojnë një njoftim pranë Dhomave të Specializuara se për cilat pika do të ankohen dhe pastaj do ta përgatisin apelin. Janë dy muaj afat, mirëpo për shkak të rastit që është kaq voluminoz dhe për shkak që ka pasur edhe praktika të kaluara në Gjykatën Speciale që për shkak të ndërlikueshmërisë së rasteve, ata besoj unë që do të kërkojnë afat shtesë që ta dorëzojnë apelin më përtej këtij afati dymujor. E apeli është vetëm njëra prej betejave”, ka thënë Mujku
Ajo theksoi se mbrojtja duhet ta analizojë aktgjykimin prej rreth 2,080 faqesh dhe më pas të përgatisë ankesat.
Mujku tha se Dhomat e Specializuara kanë kërkuar informacione për pronat e të katërshes në Kosovë, procedurë që, sipas saj, lidhet me mundësinë e kompensimit të viktimave, duke iu referuar edhe rasteve të Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës.


