MI5 britanike pranon se u dha gjykatave prova të bazuara në “gënjeshtra” në rastin e një informatori neo-nazist

Shërbimi britanik i sigurisë së brendshme MI5 ka pranuar se u ka dhënë tre gjykatave prova të bazuara në “gënjeshtra”, ndërsa përpiqej të mbronte identitetin e një informatori të dhunshëm neo-nazist, transmeton Anadolu.

Sipas një raportimi të BBC-së, avokati i MI5-së, Timothy Otty, i tha Gjykatës së Lartë në Londër se agjencia “pranon pa asnjë rezervë” gjetjet e një hetimi, i cili arriti në përfundimin se zyrtarë të lartë kishin dhënë prova të rreme lidhur me faktin nëse ajo kishte respektuar politikën e saj të konfidencialitetit, të njohur si “as konfirmo, as moho”.

Rasti ka të bëjë me një informator të MI5-së, të njohur si Agjenti X, i cili e kishte kontrolluar me detyrim dhe kishte abuzuar partneren e tij, të identifikuar me pseudonimin Beth, përfshirë edhe një sulm ndaj saj me hanxhar.

Një hetim nga ish-zv/komisari për Kompetencat Hetimore, John Goldring, konstatoi “dështime serioze dhe sistematike në veprimtarinë e MI5-së”, duke arritur në përfundimin se një zyrtar i lartë kishte dhënë vazhdimisht informacione të rreme, ndërsa një tjetër kishte mashtruar kolegët dhe kishte gënjyer për informacionet që kishte marrë.

Një trup prej tre gjyqtarësh të lartë po shqyrton tani nëse duhet të nisin procedura për shpërfillje të gjykatës ndaj zyrtarëve të veçantë të MI5-së ose ndaj vetë shërbimit të sigurisë, një hap që, sipas BBC-së, do të ishte i paprecedentë.

MI5 tha se njëri prej zyrtarëve kishte dhënë dorëheqje, ndërsa një tjetër ishte pezulluar në pritje të procedurës disiplinore.

Otty argumentoi kundër nisjes së procedurave për shpërfillje të gjykatës, duke përmendur kërkimfaljet e MI5-së dhe një program reformash që po zbatohet nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm, Ken McCallum.