Dhuna në familje në Gostivar shënon rritje alarmante

Prapa dyerve të mbyllura, dhuna nuk po ndalet. Sulme fizike, kërcënime, keqtrajtime dhe raste të rënda brenda familjes janë regjistruar në zonën e Gostivarit, ndërsa shifrat zyrtare tregojnë një rritje alarmante të dhunës.

Vetëm nga 1 janari deri më 31 gusht të këtij viti, Departamenti për Punë të Brendshme në Gostivar ka evidentuar 78 raste të lidhura me dhunën në familje. Vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë, ishin regjistruar vetëm 54 raste të tilla, që paraqet një rritje prej 44.4 për qind brenda vetëm një viti.

Në pjesën më të madhe të rasteve, viktima kanë qenë gratë, ndërsa si kryerës të dhunës janë raportuar bashkëshortët. Nga rastet e evidentuara, policia ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike të Gostivarit 61 kallëzime penale ndaj 71 personave.

Numri më i madh i rasteve lidhet me lëndimet trupore gjatë ushtrimit të dhunës në familje: gjithsej 36 kallëzime ndaj 40 kryerësve. Në 25 raste, dhuna është ushtruar nga bashkëshortët ndaj partnereve, ndërsa në raste të tjera janë regjistruar edhe raste të dhunës së prindërve ndaj fëmijëve apo fëmijëve ndaj prindërve.

Por dhuna nuk ka ndaluar vetëm me sulmet fizike. Policia brenda kësaj periudhe ka evidentuar edhe raste të kërcënimeve, privimit të kundërligjshëm nga liria, përndjekjes, tentativave për sulm seksual dhe dhunim. Ndërsa në një rast është regjistruar edhe vrasje brenda familjes, ku djali dyshohet se ka privuar nga jeta babanë e tij.

Rritja prej më shumë se 44 për qind brenda vetëm një viti tregon për përmasat serioze që po merr dhuna në familje në Gostivar. Por përtej shifrave zyrtare, shqetësues mbetet fakti se sa raste të dhunës në familje ndodhin dhe nuk raportohen kurrë, duke vazhduar të fshihen pas dyerve të mbyllura.