Ekspertët e OKB-së për të drejtat e njeriut thonë se ka arsye për të besuar se Shtetet e Bashkuara kryen krime lufte në dy sulme në Iran, të cilat vranë të paktën 177 civilë.
Një raport i ri i Misionit të Pavarur Ndërkombëtar të Gjetjes së Fakteve për Iranin thotë se sulmet me raketa në shkurt ndaj një shkolle fillore në Minab dhe një kompleksi sportiv në Lamerd përbënin sulme pa dallim, duke shkaktuar vdekjen e civilëve dhe dëmtimin e infrastrukturës civile.
SHBA-ja më parë kishte mohuar se kishte goditur Lamerdin dhe kishte thënë se po hetonte atë që kishte ndodhur në Minab. Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit tha se SHBA-ja nuk u jep besueshmëri gjetjeve të paraqitura në raport, raportoi BBC.
Ekspertët gjithashtu konstatuan se autoritetet iraniane kishin kryer krime kundër njerëzimit gjatë shtypjes së protestave masive kundër qeverisë në muajin janar.
Sipas tyre, vrasjet nga forcat e sigurisë ndodhën në një “shkallë tronditëse dhe të paprecedentë” në të 31 provincat e Iranit.
“Civilët në Iran janë të zënë mes shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera nga vetë qeveria e tyre, si dhe konfliktit vdekjeprurës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin”, paralajmëroi Misioni në një deklaratë të enjten.
Për raportin e tyre të fundit drejtuar Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, tre ekspertët e pavarur të misionit hetuan dy nga sulmet më vdekjeprurëse ndaj civilëve gjatë konfliktit.
Më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit, raketat Tomahaëk goditën shkollën fillore Shajareh Tayyebeh në qytetin jugor të Minabit, duke vrarë të paktën 156 persona, përfshirë 120 fëmijë, sipas autoriteteve lokale.
Ekspertët thanë se, bazuar në provat e mbledhura – përfshirë raportimet e mediave se një hetim paraprak i ushtrisë amerikane kishte arritur në përfundimin se forcat amerikane ishin përgjegjëse, si dhe faktin se SHBA-ja është pala e vetme në konflikt që zotëron raketa Tomahawk – kishte arsye të arsyeshme për të besuar se sulmi ndaj shkollës ishte kryer nga SHBA-ja.
Ekspertët iu referuan edhe dëshmive të të mbijetuarve, të cilët thanë se shkolla ishte goditur dy herë.
Ushtria amerikane ende nuk ka publikuar rezultatet e hetimit të saj për sulmin në Minab, ndërsa Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë se ushtria amerikane “nuk do të synonte kurrë objektiva civile”.
Në të dyja incidentet, ekspertët e misionit thanë se kishte “arsye të arsyeshme për të besuar se SHBA-ja kreu krimin e luftës të nisjes së një sulmi pa dallim, i cili rezultoi në humbje jete ose plagosje të civilëve apo dëmtim të objekteve civile”.


