Mijëra qytetarë prostestuan në Prishtinë: Kërkohet ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale

Mijëra qytetarë janë mbledhur të premten në sheshin “Skenderbeu”, në Prishtinë, për të protestuar kundër vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) më 16 shtator në Hagë.

Protesta e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, mblodhi veteranë, invalidë, ish-pjesëtarë të luftës së UÇK-së, politikanë dhe shumë qytetarë.

Altin Krasniqi, i biri i Jakup Krasniqit i cili u dënua me 25 vjet burgim të mërkurën, tha se sot populli duhet të qëndrojë në këmbë.

Ai tha se historia e UÇK-së nuk është historia vetëm atyre që kapën armët, por e një populli që nuk pranoi të nënshtrohej.

“Populli im, ne jemi ngritur sa herë që na është bërë padrejtësi, jemi ngritur kur na është mohuar liria, kur na është mohuar dinjiteti, jemi ngritur kur na është mohuar e drejta për të jetuar të lirë në tokën tonë. Sot duhet të qëndrojmë përsëri në këmbë, jo me urrejtje, jo me hakmarrje, me argumente, me ligj, dinjitet dhe unitet”, tha Krasniqi.

Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, tha se katër ish-udhëheqësit e UÇK-së nuk mund të dënohen “në emër të popullit të Kosovës”.

Gucati tha se kërkojnë që Gjykata Speciale ta shfuqizojë vendimin dënues për ish-pjesëtarët e UÇK-së.

“Ne sot kërkojmë që këtë vendim, Gjykata ta shfuqizojë dhe ta merr parasysh gjithë këtë popull, mbi 2 milionë shqiptarë që janë ngritur në këmbë për t’i mbrojtur djemtë e vet”, theksoi ai.

Disa nga kërkesat që u shpalosën para protestuesve ishin: Shfuqizimi ose ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara; shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla; Mbështetja për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së dhe angazhimi i ekspertëve ndërkombëtarë në mbrojtjen e të dënuarve.

Para protestës, Ambasada e Amerikës në Kosovë, paralajmëroi për shmangie të sheshit “Skënderbeu”, për shkak të protestave të cilat siç u tha “pritet të shkaktojnë grumbullime të mëdha, bllokime të rrugëve dhe vështirësi të theksuara në trafik në zonat përreth”.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, dënuan më 16 shtator me nga 25 vjet burgim të njehësuar Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, ndërsa me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe 13 vjet burgim Rexhep Selimin.

Ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.