Organizata e Veteranëve të Luftës ka thirrur protestë gjithëpopullore për sot në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të kundërshtuar vendimin dënues të Speciales ndaj katër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Të enjten në një konferencë për media nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, ka thënë se protesta do të jetë paqësore dhe se për dhunë e persona me maska nuk do të ketë vend.
“Ju e dini, nuk është vendim i padrejtë vetëm ky i djeshmi. Me bashkëluftëtarë tanë, ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbushur burgje në kohën e UNMIK-ut me ish-udhëheqësit e UÇK-së”, ka thënë Syla. “Protesta jonë që organizohet nesër është paqësore, jo e dhunshme, pa maska, me fytyrat tona, kemi çka me tregu boll, fytyrat i kemi te ndershme, s’kemi nevojë fare të vendosim maska në protestë”.
Kjo ka qenë përgjigje për protestën e organizuar deri në orët e vona të mërkurën, menjëherë pas verdiktit dënues. Në mesin e protestuesve pati edhe të maskuar, ndërkaq me mjete të forta janë thyer edhe xhama të ndërtesës së Qeverisë.
Duke folur për vendimin e së mërkurës ndaj katërshes së UÇK-së, Syla ka thënë se me të është dënuar lufta për çlirim dhe se është tentuar të bëhet një balancë me krimet e kryera nga serbët gjatë luftës.
“Asnjë vendim nuk mund ta rishkruajë luftën tonë çlirimtare apo t’i njollosë ata që luftuan për liri. Që nga fillimi e kemi quajtur këtë gjykatë politike dhe procesin të pa-drejtë, gjë që sipas nesh, u dëshmua edhe dje”, ka thënë ai.
Përfaqësues të organizatës së veteranëve kanë shpalosur edhe një platformë për hapat kundërshtues që duhet të merren deri në përfundimin e procesit gjyqësor në shkallën e dytë, për rastin ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit.
Në platformë parashihet edhe një rivlerësim institucional i Dhomave të Specializuara, duke e lidhur atë me procesin që çoi në krijimin e këtij mekanizmi.
Një prej kërkesave kryesore të platformës është amendamentimi ose shfuqizimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Të kërkohet debat i posaçëm parlamentar dhe shqyrtim juridik i amendamentimit ose shfuqizimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kërkesa duhet të mbështetet në Memorandumin Juridik që analizon bazën kushtetuese, dëshmitë relevante dhe pasojat e secilës alternativë. Rivlerësimi duhet të trajtojë edhe raportin ndërmjet pretendimeve që ishin pjesë e procesit që çoi në krijimin e mekanizmit, përfshirë raportin e Këshillit të Evropës, trajtimin e gjerë të organeve, mandatit të gjerë që iu dha Dhomave dhe rezultateve konkrete të hetimeve dhe proceseve”, ka thënë Fatmir Sopi, nënkryetar i organizatës së veteranëve të UÇK-së.
Platforma parasheh gjithashtu mbështetje të plotë juridike dhe financiare për proceset në Apel.


