Musliu: Kosova ka shpirt, ka rini dhe shpirti liridashës nuk vdes kurrë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar për protestat në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke shprehur kënaqësinë e saj për praninë e të rinjve të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Musliu tha se prej tri ditësh po i pëlqen veçanërisht pamja e sheshit, teksa theksoi se ndihet e emocionuar kur sheh rininë e Kosovës aty.

Postimi i plotë:

Ka tri ditë që fort po më pëlqen Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë.

Po më bëhet zemra mal kur po e shoh rininë e Kosovës aty.

Thojshin: “Të rinjtë nuk dinë çka është lufta, nuk u intereson e kaluara, nuk e duan historinë, nuk kanë emocion…”

E çka po ndodhë sot?

Pikërisht kur menduan se e kishin vra shpirtin liridashës të Kosovës, ky shpirt po çelë prapë, po zgjohet e po bëhet edhe ma i fortë.

Kam thënë para pak kohësh: Thaçi me shokë po i bëjnë dy beteja njëkohësisht. Njërën për ta mbrojtur të drejtën tonë për Liri, e tjetrën për ta zgjuar një popull që ishte futur në një letargji të rrezikshme.

Për të parën nevojitet edhe pak kohë, por të dytën tashmë e kanë fituar bashkë me rininë e Kosovës!

Rinia jonë sot po dëshmon se nuk është e fjetur, nuk është indiferente dhe nuk ia lë askujt në dorë fatin, dinjitetin dhe të ardhmen e vet.

Kosova ka shpirt!

Kosova ka rini!

Dhe shpirti liridashës i Kosovës nuk vdes kurrë! Rroftë Kosova e lirë! Rroftë UÇK-ja! Liri për Çlirimtaret!