Historiani dhe profesori universitar Nuri Bexheti në emisionin “Debat në Shenja” ka shprehur rezerva ndaj vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se ai nuk përputhet me realitetin në të cilin, sipas tij, kanë vepruar Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
“Unë e kontestoj se kam jetuar në atë realitet. Nuk përputhet askund me realitetin”, tha Bexheti.
Bexheti tha se pret që publikimi i plotë i dokumenteve dhe informacioneve rreth pretendimeve të çështjes të sjellë më shumë qartësi. Ai shprehu gjithashtu shpresë të madhe te procedura e apelit.
“Unë kam shpresë të jashtëzakonshme te apeli. Unë besoj në drejtësi, pavarësisht paraqitjes”, deklaroi ai.
Duke shpjeguar kundërshtimin e tij, Bexheti tha se katër ish-krerët e UÇK-së kanë pasur angazhime të tjera gjatë luftës dhe se, sipas tij, nuk kanë pasur kohë të merren me personat për të cilët bëhen pretendime në aktakuzë. “Krasniqi, Thaçi, Veseli, Rexhepi nuk kanë pasur kohë me një fakir, po them me përgjegjësi. Ka pasur punë të tjera, e u ka dasht të merresh me ato”, tha Bexheti.


