Netanyahu pritet në OKB ndërsa ShBA-ja pengon pjesëmarrjen e presidentit palestinez, Abbas

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ndaj të cilit Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) ka lëshuar urdhërarrest për krime lufte në Gaza, po përgatitet t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ndërsa presidenti palestinez Mahmoud Abbas nuk mund të udhëtojë për shkak të kufizimeve të vizave të Uashingtonit.

Ashtu si vitin e kaluar, ShBA-ja i ka mohuar vizën Abbasit dhe delegacionit të tij, duke e penguar të marrë pjesë personalisht në Asamblenë e Përgjithshme. Për këtë arsye, Abbas pritet t’i drejtohet sërish Asamblesë përmes video-konferencës.

Sipas Marrëveshjes për Selinë e OKB-së të vitit 1947, ShBA-ja është e detyruar të lejojë hyrjen e përfaqësuesve të shteteve anëtare dhe vëzhguese në Nju Jork. Megjithatë, Uashingtoni ka mohuar vizat për Abbasin dhe delegacionin e tij për dy vite radhazi.

Në vitin 1988, ShBA-ja i kishte mohuar vizën edhe liderit të atëhershëm palestinez Yasser Arafat, kur ai kërkoi t’i drejtohej Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ndërsa Netanyahu, ndaj të cilit GjNP-ja ka lëshuar urdhër-arrest për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza, pritet të marrë fjalën në podiumin e OKB-së, Abbas nuk mund ta bëjë këtë.

Netanyahu do t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme

GJNP-ja lëshoi më 21 nëntor 2024 urdhërarreste për Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant. Urdhërarrestet janë detyruese për më shumë se 120 vende palë në Statutin e Romës.

SHBA-ja nuk është palë në Statutin e Romës, por si vend pritës i OKB-së do të presë në Nju Jork Netanyahun, i cili kërkohet nga gjykata ndërkombëtare.

Priten protesta gjatë fjalimit të Netanyahut

Gjatë fjalimit të Netanyahut në Asamblenë e Përgjithshme në shtator 2025, dhjetëra diplomatë u larguan nga salla, ndërsa jashtë saj u zhvilluan protesta kundër sulmeve izraelite në Gaza.

Edhe këtë vit priten protesta masive në New York dhe një bojkot diplomatik gjatë fjalimit të Netanyahut.

“Standard i dyfishtë”

Trajtimi i ndryshëm i Netanyahut dhe Abbasit në New York ka ngritur pikëpyetje mbi konceptin e “rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”.

Qeveritë perëndimore, përfshirë ShBA-në, janë kritikuar për moszbatimin e vendimit të GjNP-së ndaj Netanyahut. Organizatat Amnesty International dhe Human Rights Watch kanë bërë thirrje për arrestimin e tij.

Turqia ndërmerr hapa ndaj Netanyahut

Krahas procedurave në GjNP, Türkiye ka ndërmarrë hapa drejt lëshimit të një njoftimi të kuq të Interpolit për Netanyahun dhe zyrtarë të tjerë të lidhur me krimet në Gaza.

Një njoftim i kuq mund ta ekspozojë një person të kërkuar ndaj arrestimit në 196 vendet anëtare të Interpolit.

Vendet perëndimore nuk zbatojnë urdhërarrestin

Urdhër-arresti i GjNP-së ndaj Netanyahut nuk është zbatuar në praktikë. Gjatë udhëtimeve të tij në ShBA, avioni i tij ka kaluar përmes hapësirës ajrore të Francës, Italisë dhe Greqisë, vende palë në Statutin e Romës.

Edhe vizita e Netanyahut në Hungari në prill 2025 u zhvillua me garanci nga qeveria e atëhershme se ai nuk do të arrestohej.

Avioni i Netanyahut raportohet se do të ulet në aeroportin Newark në New Jersey, gjatë udhëtimit të tij për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Kryetari i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, tha se do të veprohet sipas ligjit në lidhje me urdhër-arrestin e GjNP-së, ndërsa shtoi: “Besoj se kryeministri Netanyahu i përket Hagës. Ai është kriminel lufte ndaj të cilit është ngritur akuzë nga Gjykata Ndërkombëtare Penale”.