Kanadaja avancon idenë për anëtarësim në BE, Trumpi kërcënon Evropën

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka mbështetur mundësinë që vendi i tij të bëhet anëtari i parë i asociuar i Bashkimit Evropian (BE), duke e cilësuar afrimin me Evropën si një mënyrë për të forcuar pavarësinë ekonomike dhe sovranitetin e Kanadasë.

Në një fjalim para Parlamentit Evropian të enjten, Carney ka vlerësuar bashkëpunimin mes Kanadasë dhe Evropës, ndërsa në qendër të diskutimeve ishte edhe marrëdhënia gjithnjë e më e tensionuar e Otavës me Shtetet e Bashkuara.

Tarifat e vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump, kërkesat për lëshime ekonomike dhe deklaratat e tij të përsëritura se Kanadaja mund të bëhet shteti i 51-të amerikan, kanë nxitur Otavën të kërkojë alternativa për të ulur varësinë nga tregu amerikan dhe për të thelluar marrëdhëniet ekonomike, politike dhe të sigurisë me Evropën.

“Nuk po propozoj një bllok të tretë që synon të bëhet rival i një fuqie të madhe, por thjesht me sjellje më të kulturuar… Ne nuk kërkojmë pushtet për të dominuar të tjerët. Përkundrazi, ne po ndërtojmë qëndrueshmëri, në mënyrë që askush, askush të mos mund t’i kontrollojë tregjet tona të hapura, të cenojë sovranitetin tonë, të kërcënojë integritetin tonë territorial apo të minojë liritë, demokracitë dhe shtetin tonë të së drejtës”, ka deklaruar Carney.
Një ditë më herët, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kishte propozuar që Kanadaja të bëhej anëtarja e parë e asociuar e BE-së. Ky status aktualisht nuk ekziston në traktatet e Bashkimit Evropian dhe do të kërkonte krijimin e një forme të re të anëtarësimit.
Von der Leyen ka thënë se Evropa dëshiron ta çojë marrëdhënien me Kanadanë në “nivelin më të lartë të mundshëm”.

Propozimi evropian ka shkaktuar reagim nga presidenti amerikan, Donald Trump. Të mërkurën mbrëma, i pyetur nga gazetarët për mundësinë e një marrëveshjeje të tillë mes BE-së dhe Kanadasë, Trump ka sugjeruar se ajo mund të përbëjë një “akt armiqësor” dhe ka kërcënuar me vendosjen e tarifave të larta ndaj Evropës nëse do të vlerësonte se synimet nuk janë miqësore.