Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përuruar një fabrikë për montimin e dronëve të prodhimit izraelit, e cila do të prodhojë pajisje për Forcat e Armatosura të Serbisë dhe ushtritë e vendeve të tjera.
“Hapa një fabrikë për montimin e dronëve më modern të prodhimit izraelit, e cila do të punësojë rreth 100 punëtorë dhe do të prodhojë pajisje të teknologjisë së fundit si për Forcat e Armatosura të Serbisë, ashtu edhe për ushtritë e disa vendeve të tjera”, tha Vuçiq në një postim në rrjetet sociale.
Vuçiq bëri të ditur se në bashkëpunim me partnerët izraelitë do të hapen të paktën edhe tre fabrika të tjera në mbarë Serbinë.
“Planet tona janë të mëdha”, shtoi ai.
Më tej, presidenti serb për gazetën e përditshme “Informer” se qëllimi i hapjes së fabrikës ishte ruajtja e paqes dhe stabilitetit, si dhe që Serbia të jetë mjaftueshëm e fuqishme për të frenuar çdo agresor të mundshëm.


