Gjeneralmajori rus Anton Feliksovich Grunysh është vrarë gjatë një sulmi me dron pranë Kintrativka, në rajonin e Donetskut. Sipas autoriteteve ukrainase, 46-vjeçari humbi jetën më 12 shtator, ndërsa përgjegjësinë për sulmin e ka marrë pala ukrainase.
Vdekja e gjeneralit është konfirmuar edhe nga Rusia, e cila nuk ka dhënë detaje zyrtare mbi rrethanat e incidentit. Lajmi ishte publikuar fillimisht në një kanal ushtarak rus në Telegram, ndërsa më pas u raportua edhe nga mediat shtetërore ruse.
Grunysh kishte një karrierë të gjatë në ushtrinë ruse, ku kishte shërbyer në Luftën e Dytë Çeçene, luftën Rusi-Gjeorgji të vitit 2008, operacionet në Krime në vitin 2014 dhe në Siri. Pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, ai u angazhua në operacionet ushtarake ruse në territorin ukrainas.
Media shtetërore ruse e kishte përshkruar Grunysh si një komandant të suksesshëm në front. Vdekja e tij përbën një humbje për strukturat komanduese të ushtrisë ruse.


