Konferenca me temë “Avancimi i pjesëmarrjes zgjedhore të grave përmes të dhënave, stimulimeve dhe partneriteteve” solli për herë të parë të dhëna dhe analiza mbi pjesëmarrjen e grave në zgjedhjet lokale të vitit 2025.
Sipas KSHZ-së, këto të dhëna do të shërbejnë për hartimin e politikave dhe masave konkrete që synojnë të inkurajojnë gratë, si në zonat rurale ashtu edhe në ato urbane, të marrin pjesë më aktivisht në proceset zgjedhore, si kandidate dhe si votuese.
Nga KSHZ-ja u theksua se barazia gjinore dhe gjithëpërfshirja janë të rëndësishme për zhvillimin e proceseve zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe cilësore, ndërsa institucionet kanë përgjegjësi për të siguruar kushte të barabarta për realizimin e të drejtës së votës.
Në konferencë u vlerësua edhe rëndësia e bashkëpunimit mes institucioneve, shoqërisë civile, partnerëve ndërkombëtarë dhe mediave, me qëllim krijimin e masave të qëndrueshme të bazuara në të dhëna.
KSHZ-ja shprehu mirënjohje për Misionin e OSBE-së në Shkup, Ambasadën e Zvicrës dhe IFES-in për mbështetjen dhe bashkëpunimin në këtë iniciativë.


