Presidenti i Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane, Martin Vulaj, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale sot ndaj ish-krerëve të UÇK’së. I njëjti ka thënë se Kuvendit duhet të ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe kushtetuese, përfshirë ndryshimin e Nenit 162 të Kushtetutës, për të shpërbërë Dhomat e Specializuara.
Vulaj po ashtu ka thënë se Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, dënon fuqishëm aktgjykimin e Speciales, duke shprehur ka shqetësime të thella lidhur me legjitimitetin dhe besueshmërinë e një procesi i cili, që nga krijimi i tij, ka vënë njërën palë të luftës në Kosovë nën një proces gjyqësor të fokusuar në mënyrë të veçantë.
‘’ UÇK-ja luftoi për ta çliruar Kosovën nga një fushatë e represionit dhe dhunës së shtetit serb. Udhëheqësit e saj nuk duhet të vendosen në një kuadër të veçantë ndjekjeje penale që rrezikon ta reduktojë historinë komplekse të çlirimit të Kosovës në një narrativë kriminale të njëanshme, ndërkohë që nuk ofron një llogaridhënie të krahasueshme gjyqësore për krimet e kryera ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës’’, thuhet mes tjerash në reagim.


