Sali pas aktgjykimit në Hagë: Ndëshkim ndaj luftës çlirimtare të Kosovës

Zv.kryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Sali e ka cilësuar aktgjykimin si një “ndëshkim ndaj luftës çlirimtare të popullit të Kosovës për liri”, duke theksuar se UÇK-ja, sipas tij, lindi nga nevoja për mbrojtjen e popullit të Kosovës.

“Aktgjykimi i sotëm në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është një ndëshkim ndaj luftës çlirimtare të popullit të Kosovës për liri”, ka deklaruar Sali.

Ai ka theksuar se, pavarësisht vendimeve gjyqësore, lufta e UÇK-së mbetet pjesë e historisë së Kosovës dhe e procesit që çoi në lirinë e saj.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi nga nevoja për ta mbrojtur popullin e Kosovës, andaj pavarësisht vendimeve gjyqësore, lufta e saj mbetet pjesë e historisë së lavdishme çlirimtare dhe e lirisë së Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Saliut, dënimet e shpallura në Hagë nuk mund ta ndryshojnë atë që ka ndodhur dhe sakrificën që, sipas tij, solli lirinë e Kosovës.

“Dënimet e sotme nuk mund ta ndryshojnë atë që ka ndodhur dhe sakrificën që solli lirinë. Drejtësia duhet të kërkohet deri në fund”, ka thënë Sali.

Zv.kryeministri i parë ka shprehur gjithashtu besimin se procesi i apelit duhet të mundësojë një rishqyrtim të plotë të vendimit.

“Besoj se procesi i apelit duhet ta japë mundësinë për një rishqyrtim të plotë të këtij vendimi”, ka deklaruar ai.

Në reagimin e tij, Sali ka shprehur solidaritet me familjet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, bashkëluftëtarët e tyre dhe popullin e Kosovës.

“Në këto momente të dëshpërimit e dhimbjes, solidariteti im është me familjet e çlirimtarëve, me bashkëluftëtarët e tyre, por edhe me gjithë popullin e Kosovës”, ka shkruar Sali.

Në fund, zv.kryeministri i parë ka theksuar se historia e lirisë së Kosovës, sipas tij, nuk mund të fshihet.

“Liria e Kosovës e ka historinë e saj, i ka emrat e saj të përveçëm dhe ajo histori nuk fshihet kurrë”, ka përfunduar Bekim Sali.