Albulena Haxhiu porosi familjeve të Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit: Kosova është me ju

Ushtruesja e detyrës së presidents, Albulena Haxhiu ka shprehur tronditjen për vendimin e sotëm në Speciale, por edhe mbështetjen për familjet e ish-udhëheqësve të luftës së UÇK-së.

Haxhiu ka thënë se Kosova është me ta dhe se vendit i duhet qetësi e bashkim.

“Aktgjykimi i sotëm dhe dënimet e shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë një goditje e rëndë për familjet e tyre, një lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës dhe një çast i rëndë për kombin shqiptar kudo që jeton.
Në një ditë si kjo, pesha e këtij vendimi nuk mund të ndahet nga historia prej së cilës kemi ardhur. Kosova e ka përjetuar mbi vete dhunën e një aparati shtetëror që vrau civilë, kreu masakra, dëboi qindra mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre dhe la pas mijëra të vrarë e të zhdukur. Kjo përvojë është pjesë e pashlyeshme e kujtesës së Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Mendimet e mia janë, para së gjithash, me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Prej vitesh ato mbajnë barrën e mungesës, pritjes dhe pasigurisë. Dënimet e sotme e bëjnë këtë barrë edhe më të rëndë.
Atyre ua përcjell nga Kosova një porosi, qëndroni të fortë, Kosova është me ju. Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare. Ajo lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet.
Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar historinë. Nuk duhet lejuar që dënimet e sotme të përdoren për të relativizuar krimet e regjimit të Serbisë, për ta zvogëluar përgjegjësinë për to apo për të krijuar një narrativë të rreme.
Këtë qartësi e presim edhe nga miqtë dhe aleatët tanë.
Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë.
Republika e Kosovës do ta përballojë edhe këtë sprovë duke i qëndruar besnike drejtësisë, lirisë dhe së vërtetës së saj. Sepse aktgjykimet nuk mund ta gjykojnë historinë e një populli as nuk mund ta rishkruajnë atë” shkruan Haxhiu në reagim.