Kongresisti amerikan Thomas Massie paraqiti të martën një rezolutë për shkarkimin e Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, duke e akuzuar atë se e ka sfiduar Kongresin dhe se ka vazhduar në mënyrë të paligjshme operacionet ushtarake në Iran, transmeton Anadolu.
Rezoluta vjen pas përpjekjeve të përsëritura të Dhomës së Përfaqësuesve për të kufizuar fushatën ushtarake të administratës në Iran. Ligjvënësit miratuan rezoluta për kompetencat e luftës në qershor dhe korrik, duke i bërë thirrje presidentit t’u japë fund armiqësive amerikane me Teheranin.
Në rezolutën e Massiet thuhet se Hegseth zbatoi urdhrat për vazhdimin e operacioneve, pavarësisht autoritetit kushtetues të Kongresit mbi luftën dhe votave të tij për t’i dhënë fund konfliktit.
Ai tha se veprimet e Hegsethit “penguan aftësinë e Kongresit për të ushtruar përgjegjësinë e tij më të rëndësishme kushtetuese” dhe lejuan vazhdimin e një “lufte të paligjshme”.
“Në të gjitha këto raste, Sekretari Hegseth ka vepruar në një mënyrë që bie ndesh me besimin që i është dhënë si Sekretar i Mbrojtjes”, tha Massie në Dhomën e Përfaqësuesve.
Rezoluta, e përbërë nga tetë pika, e akuzon gjithashtu Hegsethin për veprime të paautorizuara ushtarake në Venezuelë dhe Jemen, përfshirë një operacionin për kapjen e presidentit të atëhershëm të Venezuelës, Nicolas Maduro.
Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kishin paraqitur më herët, në prill, gjashtë pika për shkarkimin e Hegsethit, përfshirë akuza që lidhen me luftën në Iran.
Dhoma e Përfaqësuesve duhet ta shqyrtojë rezolutën e Massiet brenda dy ditësh pune, megjithëse drejtuesit republikanë mund të kërkojnë që ajo të mos merret në shqyrtim.


