Gjykata në Paris i ka dhënë Kim Kardashian një euro dëmshpërblim për grabitjen e armatosur që iu bë në vitin 2016, shumë kjo që ishte kërkuar vetë nga ylli amerikan.
Vendimi u mor të martën, ndërsa sipas avokatit të përfshirë në çështje, një dëmshpërblim prej një euroje iu dha edhe stilistes Simone Bretter, e cila ndodhej e pranishme gjatë grabitjes.
Kardashian ishte shënjestra e një sulmi më 2 tetor 2016, gjatë Javës së Modës në Paris, teksa qëndronte në Hotel de Pourtales.
Dy grabitës, të maskuar si oficerë policie, hynë me forcë në apartamentin e saj, e lidhën me lidhëse plastike dhe shirit ngjitës dhe i vodhën bizhuteri me vlerë më shumë se gjashtë milionë dollarë. Mes sendeve të grabitura ishte edhe një unazë diamanti që Kardashian e kishte mbajtur në shfaqjen e Givenchy atë mbrëmje.


