“Pezullohen” bisedimet VV-LDK për presidentin, pas tërheqjes së Sejdiut

Nuk janë paraparë bisedime të reja për president në periudhë të afërt kohore e as nuk ka iniciativë të tillë në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura.

“Deri në këtë moment nuk ka as biseda, as ndonjë iniciativë të tillë”, ka thënë Jehona Lushaku, deputete e LDK-së.

Ajo ka thënë po ashtu se LDK-ja është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me procedurën e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë. Për të dyja këto çështje, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar masë të përkohshme.

Burime nga Vetëvendosje kanë thënë për KOHËN se nuk është planifikuar takim për këtë javë me përfaqësuesit e LDK-së.

Ndërkaq nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “nuk ka takime pa vendim të Gjykatës Kushtetuese”.

Një ditë më parë, Sejdiu, emri i të cilit u dakordua në një marrëveshje mes të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, tërhoqi kandidaturën duke thënë se pati mungesë të votave parlamentare për t’u zgjedhur. Po ashtu ai ka thënë se ka devijim të tërë procesit. Numrat për të mbërritur 80-votëshin nga kjo marrëveshje u bënë të pasigurt kur gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër marrëveshjes.

Çështja e presidentit pati çuar Kosovën në zgjedhjet e 7 qershorit. Atë kohë, Kuvendi dështoi të zgjidhte një emër të ri pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.

Kuvendi u konstituua me dy muaj e më shumë pas certifikimit të rezultateve, edhe pse Kushtetuta kërkon që konstituimi të bëhet brenda 30 ditësh nga certifikimi.

Kuvendi u shpall i konstituuar pa nënkryetarin nga radhët e PDK-së.

Para konstituimit të shpallur, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, arsyetonte shtyrjen duke thënë se pa një marrëveshje për presidentin, konstituimi i Kuvendit por edhe formimi i Qeverisë nuk shmangin zgjedhje të reja.