Çlirim Haziri, djali i heroit të kombit Xhavit Haziri, ka bërë thirrje që qytetarët e Kosovës të mblidhen sonte në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të pritur së bashku vendimin e 16 shtatorit për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Në një postim të tij, Haziri ka shkruar se pritjen e njeh nga afër, duke kujtuar familjen e tij dhe pritjen e gjatë për drejtësi, raporton lajmi.net
“Si djali i Xhavit Hazirit, pritjen e njoh mirë. Jam rritur me të. Unë dhe familja ime presim edhe sot e kësaj dite”, ka shkruar ai.
Haziri ka bërë thirrje që kjo natë të mos kalohet veçmas, por së bashku, në shesh, në qetësi dhe me shpresën për një vendim që, sipas tij, mund të jetë “një ndër pritjet tona të fundit si popull”.
Ai ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen tubimit me mjete të thjeshta, duke përmendur batanijet, kitarat dhe çajin e ngrohtë, por mbi të gjitha, me “zemër dhe shpresë për drejtësi”.
“Sonte, mjafton të jemi aty. Të presim bashkë”, shkruan Haziri.
Në fund të mesazhit, ai ka theksuar lidhjen që, sipas tij, ekziston mes UÇK-së dhe popullit të Kosovës:
“Sepse, UÇK-ja ishte e popullit dhe populli është i UÇK-së.”
Tubimi është paralajmëruar për 15 shtator, nga ora 21:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, ku Haziri u ka bërë thirrje qytetarëve që ta presin së bashku mëngjesin e 16 shtatorit.


