Rama uron Kurtin për mandatin e ri, e fton për vizitë në Shqipëri

Kryeministri Albin Kurti, ka pranuar letër urimi për mandatin e ri qeverisës nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në letrën e tij, Rama i ka uruar Kurtit sukses në mandatin e ri, ndërsa ka riafirmuar gatishmërinë e Qeverisë së Shqipërisë për bashkëpunim të gjithanshëm me Kosovën.

“Mandati Juaj i ri qeverisës më ofron rastin e duhur t’Ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për sukses”, ka shkruar Rama.

“Gjithashtu, e shfrytëzoj këtë mundësi për të riafirmuar gatishmërinë time dhe të Qeverisë që unë drejtoj, për një bashkëpunim të gjithanshëm, në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat, për të përshpejtuar hapat në rrugëtimin tonë sfidues drejtë Shtëpisë së Përbashkët Evropiane. Zbatimi sa më i plotë i marrëveshjeve të miratuara dhe shqyrtimi e angazhimi në projekte të reja, nga sektorët më të rëndësishëm e prioritarë, janë në dobi dhe do të përmirësojnë e pasurojnë më tej jetën e qytetarëve tanë”, shkroi mes tjerash kryeministri Rama., shkroi mes tjerash kryeministri Rama.

Në fund të letrës, kryeministri shqiptar i ka uruar Kosovës përparim të gjithanshëm dhe e ka ftuar kryeministrin Kurti për vizitë në Shqipëri.