Gazetari korrespondent i Klan Kosovës, Urall Boshnjaku, ka thënë se Mitrovica dhe qytete të tjera në Kosovë janë nën ethe, në pritje të zhvillimeve lidhur me gjykimin në Hagë të katër ish-krerëve të UÇK-së.
Duke folur në emisionin “Ora Shtatë”, Boshnjaku tha se në terren vërehet një lloj tensioni, por deri tani nuk ka pasur zhvillime të reja të sigurisë që do të përbënin shqetësim të veçantë, transmeton Klankosova.tv.
“Mitrovica dhe qytetet e tjera mund të them lehtësisht që ndodhen nën ethe në pritje të katërshes së UÇK-së që po gjykohet në Hagë, dhe mund të vërehet një lloj situate e tendosur gjithandej”, deklaroi ai.
Boshnjaku theksoi se, pavarësisht kësaj atmosfere, situata e sigurisë deri më tani mbetet e qetë.
“Zhvillimet e fundit të sigurisë për fat të mirë nuk ka diçka për t’u theksuar”, tha gazetari.
Ai bëri të ditur gjithashtu se Policia e Kosovës në veri është rikthyer në orarin 12-orësh, si masë që aplikohet në situata të cilat mund të paraqesin rrezik për sigurinë.
“Policia është kthyer në orar 12-orësh kur ka situata të tilla që mund të përbëjnë rrezik për sigurinë, pra policët në veri janë në orar 12-orësh”, u shpreh Boshnjaku.
Megjithatë, sipas tij, në terren nuk është vërejtur ndonjë shtim i theksuar i pranisë policore, përtej asaj që është bërë e ditur zyrtarisht nga Policia.
“Nuk kam vërejtur se ka pasur ndonjë shtim të theksuar pos asaj që ka njoftuar policia, mirëpo në terren nuk vërehet shtim i forcave policore”, shtoi ai.


