(Mos)marrëveshja kolektive e kulturës vazhdon

Debati për Marrëveshjen Kolektive për Kulturën po merr një dimension më të gjerë. Përveç të drejtave të punonjësve të kulturës dhe vlefshmërisë së marrëveshjes, në qendër tani janë edhe kufijtë e akteve institucionale dhe standardet që duhet të vlejnë për të gjithë sektorin publik

Sindikata e të punësuarve në kulturë sot e zhvendos debatin për Marrëveshjen Kolektive në një tjetër plan, duke ngritur çështjen e standardeve juridike që zbatohen për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, përfshirë edhe Shërbimin e Gjykatës Kushtetuese. Reagimi vjen pas procedurës së nisur nga Gjykata Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Marrëveshjes Kolektive për Kulturën. Përplasja, e cila fillimisht u zhvillua mes punonjësve të kulturës, Sindikatës dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, u zhvendos më pas edhe para Gjykatës Kushtetuese, duke sjellë protesta dhe reagime të shumta. Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se ende nuk ka marrë vendim përfundimtar dhe se nuk po vlerëson punën, rëndësinë apo të ardhurat e artistëve dhe punonjësve të kulturës, por përputhshmërinë e akteve të kontestuara me Kushtetutën dhe ligjin.

Në reagimin e së hënës, Sindikata fokusohet te baza juridike e sistemit të pagave në sektorin publik. Sipas saj, nëse për punonjësit e sektorit publik kërkohet bazë e qartë ligjore për pagat, koeficientët dhe elementet e tjera të sistemit të pagave, atëherë i njëjti standard duhet të zbatohet për të gjithë. “Nëse për të punësuarit në sektorin publik mënyra e përcaktimit të pagave, koeficientëve dhe elementeve të sistemit të pagave duhet të ketë bazë të qartë dhe të padiskutueshme ligjore, atëherë një pyetje vërtet ngjall interes: a vlen i njëjti standard juridik edhe për të punësuarit në vetë Shërbimin e Gjykatës Kushtetuese?”, thekson Sindikata.

Në këtë kontekst, Sindikata sjell në vëmendje statusin e të punësuarve në Shërbimin e Gjykatës, të cilët, sipas saj, janë pjesë e sektorit publik, ndërsa organizimi, vendet e punës, klasifikimi, kushtet dhe përgjegjësitë e tyre rregullohen edhe përmes akteve të Gjykatës.

“Nuk mund të ndodhë që i njëjti parim juridik një herë të jetë absolut kur u referohet të punësuarve të caktuar në sektorin publik, ndërsa herën tjetër të jetë fleksibil kur u referohet të punësuarve në institucionin që e interpreton atë parim“, thuhet në reagimin e Sindikatës. Sindikata e lidh këtë çështje me parimin e barazisë para Kushtetutës dhe të drejtën për negociim kolektiv, duke kërkuar që standardet juridike të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë sektorin publik. Në mënyrë ironike, Sindikata e formulon dilemën edhe përmes pyetjes nëse ndoshta duhet të ndryshohet emri i “Marrëveshjes Kolektive për Kulturën” dhe të quhet “Rregullore”. “Kjo është çështje e zbatimit të barabartë të së drejtës“, porosit Sindikata, duke shtuar se nëse rregulli vlen për sektorin publik, atëherë duhet të vlejë për të gjithë sektorin publik, përfshirë edhe Shërbimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kështu, debati për Marrëveshjen Kolektive për Kulturën po merr një dimension më të gjerë: përveç të drejtave të punonjësve të kulturës dhe vlefshmërisë së marrëveshjes, në qendër tani janë edhe kufijtë e akteve institucionale dhe standardet që duhet të vlejnë për të gjithë sektorin publik.