SHBA-ja paralajmëron Serbinë për afrimin me Kinën në fushën e IA-së

E ardhmja e mundësive ekonomike të Serbisë do të varet nga vendimet politike dhe zgjedhjet e partneriteteve që ajo bën sot, paralajmëron Departamenti amerikan i Shtetit në një koment për Radion Evropa e Lirë, lidhur me afrimin gjithnjë e më të madh të Serbisë me Kinën në fushën e inteligjencës artificiale (IA).

Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian rikujton se harmonizimi me rregullat e Bashkimit Evropian në fushën e inteligjencës artificiale, është pjesë e procesit më të gjerë të integrimit evropian.

“Si pjesë e procesit të anëtarësimit, Serbia është zotuar ta harmonizojë legjislacionin e saj me këto rregulla”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për REL-in.

Nga Instituti i BE-së për Studime të Sigurisë thonë për REL-in se integrimi më i thellë me ekosistemet teknologjike kineze, mund ta ndërlikojë harmonizimin e mëvonshëm me kërkesat e Brukselit në rrugën evropiane të Serbisë.

Serbia është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012. Gjatë muajve të fundit, ajo është afruar ndjeshëm me Kinën në fushën e inteligjencës artificiale, përmes nënshkrimit të marrëveshjeve në nivelin më të lartë.

Por, Kina nuk është e vetmja e interesuar për bashkëpunim me Beogradin zyrtar në këtë fushë. Inteligjenca artificiale ishte një nga temat edhe gjatë vizitës së presidentit francez, Emmanuel Macron, në Serbi, në gusht të vitit 2024.

Çfarë nënshkroi Vuçiç me Xi Jinpingun?

Në maj, në prani të presidentëve të Serbisë dhe Kinës, Aleksandar Vuçiç dhe Xi Jinping, në Pekin u nënshkrua një memorandum për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e inteligjencës artificiale.

Dy muaj më vonë, në korrik, përfaqësuesit e 29 vendeve, përfshirë Serbinë, nënshkruan në Shangai marrëveshjen për themelimin e Organizatës Botërore për Bashkëpunim në fushën e Inteligjencës Artificiale (WAICO).

Nga vendet evropiane, nënshkruese janë vetëm Rusia dhe Bjellorusia. Shumica e vendeve nënshkruese janë nga Azia dhe Afrika, ndërsa organizatës më vonë iu bashkua edhe Irani.

Marrëveshjet vijnë në kohën kur Serbia po përpiqet ta përshpejtojë zhvillimin e kapaciteteve kombëtare në fushën e inteligjencës artificiale.

Në fillim të vitit 2025, Qeveria e Serbisë miratoi Strategjinë e re për Zhvillimin e Inteligjencës Artificiale deri në vitin 2030, e cila parasheh investime shtesë në kërkime, infrastrukturë kompjuterike dhe përdorimin e sistemeve të inteligjencës artificiale në sektorin publik.

Zyra për Teknologji të Informacionit dhe Qeverisje Elektronike e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me marrëveshjet e nënshkruara dhe nëse inteligjenca artificiale kineze do të përdoret në institucionet shtetërore. REL-it nuk iu mundësua as qasja në memorandumin e nënshkruar.

Çfarë dihet për marrëveshjet me Kinën?

Memorandumi i mirëkuptimit për avancimin e bashkëpunimit në fushën e inteligjencës artificiale u nënshkrua në Pekin në maj.

Në emër të Serbisë nënshkroi Mihajllo Jovanoviç, drejtor i Zyrës për Teknologji të Informacionit dhe Qeverisje Elektronike të Serbisë.

Nga pala kineze, dokumenti u miratua zyrtarisht nga Komisioni Kombëtar për Zhvillim dhe Reforma i Kinës (NDRC).

“Bashkëpunimi mes Serbisë dhe Kinës në fushën e teknologjive moderne, përfshirë inteligjencën artificiale, robotikën dhe inovacionet digjitale, përbën një nga segmentet më dinamike dhe më premtuese të marrëdhënieve të përgjithshme dypalëshe dhe një bazë të rëndësishme për lidhjen e mëtejshme të kapaciteteve kërkimore-shkencore dhe teknologjike të të dyja vendeve”, tha atëkohë Jovanoviç.

Sipas njoftimit që bëri Agjencia për Zhvillim e Serbisë pas vizitës së Vuçiçit në Kinë, gjatë saj u nënshkruan më shumë se 30 marrëveshje dhe memorandume.

Në njoftim thuhej gjithashtu se Serbia shihet si një qendër e mundshme rajonale “për investimet kineze në industri, logjistikë dhe zhvillim teknologjik”.

Në korrik, Serbia bëri një hap tjetër drejt afrimit me Kinën në këtë fushë, kur në Shangai u themelua WAICO – Organizata Botërore për Bashkëpunim në fushën e Inteligjencës Artificiale.

Një muaj më herët, Qeveria e Serbisë kishte miratuar vendimin për lidhjen e marrëveshjes për themelimin e kësaj organizate, me çka ky vend mori zyrtarisht statusin e një prej shteteve themeluese.

Nismën për krijimin e saj, Kina e kishte prezantuar një vit më parë, duke paralajmëruar se inteligjenca artificiale mund të shndërrohej në privilegj të një numri të vogël shtetesh dhe kompanish, nëse në nivel global nuk krijohej një bashkëpunim më i gjerë në fushën e teknologjive të avancuara.

Përmes anëtarësimit në këtë organizatë, Serbia, ndër të tjera, do të ketë qasje falas në modele të inteligjencës artificiale me burim të hapur (open-source), do të mund të përdorë teknologjinë kineze të inteligjencës artificiale si alternativë më të lirë ndaj zgjidhjeve më të kushtueshme të kompanive teknologjike perëndimore, si dhe do të ketë mundësi t’i trajnojë ekspertët e saj në Kinë përmes një fondi të paralajmëruar bursash.

SHBA-ja i bën thirrje Serbisë të zgjedhë “burime të besueshme”

Departamenti amerikan i Shtetit nuk deshi të komentojë drejtpërdrejt afrimin e Beogradit zyrtar me Pekinin në fushën e inteligjencës artificiale, por theksoi se është e qartë se cilën anë duhet ta zgjedhë Serbia.

“Shtetet e Bashkuara e inkurajojnë Serbinë të zhvillojë potencialin e saj të plotë – dhe të garantojë sigurinë e saj kombëtare – duke zgjedhur burime dhe furnizues të besueshëm të pajisjeve dhe teknologjisë së inteligjencës artificiale, si dhe partnerë të besueshëm, si Shtetet e Bashkuara”, thuhet në përgjigje.

Departamenti i Shtetit rikujtoi gjithashtu se SHBA-ja është lidere në teknologjinë e inteligjencës artificiale dhe përfaqëson standardin më të lartë për teknologjinë që është “zhvilluar në mënyrë të përgjegjshme, bazuar në transparencë dhe pa paragjykime ideologjike dhe manipulime të imponuara nga autoritetet”.

“Kur vendet miratojnë sistemet amerikane të inteligjencës artificiale, ato nuk blejnë infrastrukturë vetëm si konsumatorë – ato hapin mundësi inovative për ekonomitë dhe qytetarët e tyre”, thuhet në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit.

SHBA-ja, prej kohësh, mban qëndrimin zyrtar se zhvillimi i inteligjencës artificiale nga Kina mund të ndihmojë në modernizimin e ushtrisë dhe të kapaciteteve të saj të mbikëqyrjes.

Për këtë arsye, Uashingtoni ka vendosur kontrolle gjithnjë e më të rrepta të eksporteve.

Në vitin 2022, Departamenti amerikan i Tregtisë vendosi kufizime që ia ndalojnë Kinës qasjen në çipat më të avancuar për inteligjencën artificiale, teknologjitë për superkompjuterë dhe pajisjet për prodhimin e gjysmëpërçuesve të avancuar, duke i arsyetuar këto masa me nevojën për mbrojtjen e sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Çfarë i rikujton Brukseli Serbisë?

Komisioni Evropian thotë për Radion Evropa e Lirë se Serbia është zotuar të harmonizohet me rregullat e Brukselit, përfshirë kornizën evropiane për rregullimin e inteligjencës artificiale dhe Aktin e BE-së për Inteligjencën Artificiale (AI Act).

Komisioni shpjegon se rregullat e BE-së nuk vlejnë vetëm për kompanitë me seli brenda bllokut, por edhe për ofruesit e sistemeve dhe modeleve të inteligjencës artificiale që operojnë në tregun e BE-së, përfshirë kompanitë nga vendet e treta.

BE-ja, prej kohësh, synon të pozicionohet si një prej rregullatorëve kryesorë globalë në fushën e inteligjencës artificiale, duke vënë në plan të parë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe kontrollin e rreptë të rreziqeve.

Përmes Aktit për Inteligjencën Artificiale (AI Act), i cili nisi të zbatohet në gusht të këtij viti, Brukseli synon të sigurojë që teknologjitë e avancuara të zhvillohen në përputhje me standardet demokratike, transparencën dhe mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve.

Në përgjigjen e Institutit të BE-së për Studime të Sigurisë, të nënshkruar nga analistet Bojana Zoriç dhe Clotilde Bomon, thuhet se partneriteti në fushën e inteligjencës artificiale, në vetvete, nuk përbën shkelje të detyrimeve të Serbisë në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Megjithatë, ai ngre pikëpyetje të reja për orientimin strategjik të Beogradit.

“Për BE-në, shqetësimi kryesor është se Serbia gradualisht po integrohet në ekosisteme teknologjike dhe të qeverisjes që mund të dallojnë nga ato evropiane. Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi harmonizimi i Serbisë me politikën e përbashkët, tashmë është i paplotë dhe larg nivelit të kënaqshëm”, paralajmërojnë nga Instituti.

Ato rikujtojnë teknologjinë Huawei Safe City, tashmë të përdorur në Serbi, dhe thonë se zbatimi i saj ka ngritur shqetësime për mundësinë e mbikëqyrjes masive dhe sigurinë e të dhënave – çështje që inteligjenca artificiale i ndërlikon edhe më tej.

“Kombinimi i inteligjencës artificiale me të dhëna të ndjeshme, infrastrukturën e mbikëqyrjes dhe varësinë nga furnizuesit e jashtëm rrit rreziqet për sigurinë kibernetike dhe spiunazhin dhe i bën cenueshmëritë sistemike”, vlerësojnë nga Instituti.

Zoriç dhe Bomon konsiderojnë se ekziston rreziku i krijimit të varësisë teknologjike nga Kina.

“Varësia krijohet kur i njëjti ekosistem teknologjik, gradualisht, ofron infrastrukturën, harduerin, kapacitetet ‘cloud’ ose kompjuterike, softuerin, modelet e inteligjencës artificiale dhe ekspertizën teknike. Kur këto shtresa ndërlidhen, kalimi në një sistem tjetër bëhet i kushtueshëm dhe politikisht i vështirë”, shpjegojnë ato.

Zoriç dhe Bomon vlerësojnë se BE-ja duhet t’i ofrojë gjithë Ballkanit Perëndimor alternativa ndaj integrimit me Kinën në fushën e inteligjencës artificiale, “duke lehtësuar qasjen në kapacitetet kompjuterike evropiane dhe programet kërkimore, si dhe duke rritur mbështetjen dhe investimet në sigurinë kibernetike”.

Bashkëpunimi Kinë-Serbi në fushën e inteligjencës artificiale

Bashkëpunimi mes Serbisë dhe Kinës në fushën e inteligjencës artificiale nisi të intensifikohej që në vitin 2019, kur Zyra për Teknologji të Informacionit dhe Qeverisje Elektronike e Serbisë nënshkroi në Shangai një memorandum me gjigantin teknologjik kinez, Huawei, për krijimin e një platforme kombëtare për zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Dy vjet më vonë, më 2021, Serbia themeloi Institutin për Inteligjencë Artificiale, ndërsa në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në Kragujevc vazhdoi zhvillimi i platformës kombëtare të inteligjencës artificiale, të bazuar në infrastrukturën dhe teknologjitë për të cilat ishte arritur marrëveshje më herët me Huawei-n.

Deri te memorandumi i fundit dhe anëtarësimi në organizatën globale nuk kishte hapa të tjerë konkretë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në këtë fushë.

Viteve të fundit, të dyja vendet kanë intensifikuar bashkëpunimin në fushën e teknologjive digjitale, telekomunikacionit, inteligjencës artificiale dhe robotikës.

Ky bashkëpunim është veçanërisht i dukshëm përmes partneritetit shumëvjeçar mes institucioneve shtetërore serbe dhe kompanisë Huawei, e cila ndodhet në listën e zezë të SHBA-së.

Hapi i fundit që i ka afruar edhe më shumë dy vendet në fushën e teknologjisë, është hapja, më 29 gusht, e një fabrike të robotëve humanoidë në Shabac, në perëndim të Serbisë. Robotët e prodhuar aty pritet të eksportohen në Bashkimin Evropian.