Drejtoria e Doganave ka marrë mbështetje nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 4 milionë eurosh. Njëzet e një automjete për njësinë mobile, si dhe pesë automjete për njësinë K-9 dhe pajisje forenzike, do të forcojnë kapacitetet e doganave në luftën kundër krimit të organizuar që ndikon në tregti dhe në zinxhirët e furnizimit, njoftoi Delegacioni i BE-së në vend.
“Me rritjen e tregtisë, rritet edhe lëvizja e paligjshme e mallrave, automjeteve dhe njerëzve, duke i bërë metodat e mashtrimit doganor dhe kontrabandës gjithnjë e më të sofistikuara. Prandaj, është e rëndësishme që sistemet e kontrollit doganor të forcohen, në mënyrë që të parandalohen dhe zbulohen mashtrimet doganore dhe tregtia e paligjshme e mallrave, ndërsa njëkohësisht të lehtësohet tregtia dhe të arrihet një partneritet i vërtetë me komunitetin e biznesit”, thuhet në njoftimin e Delegacionit të BE-së.
Siç bëjnë të ditur nga atje, pajisjet e IT-së lidhen me dhomën e përmirësuar të serverëve në selinë qendrore të doganave, ndërsa softueri vendos një sistem të ri të unifikuar të përdoruesve për menaxhimin e operatorëve ekonomikë në vend, përkatësisht një numër unik për regjistrim dhe identifikim (EBRI) dhe nënshkrim digjital. Këto kapacitete doganore, të financuara nga BE-ja, ua lehtësojnë kompanive punën me BE-së.
Projektet e financuara nga BE-ja dhe të zbatuara në të mirë të Drejtorisë së Doganave arrijnë në vlerën prej 25 milionë eurosh. Lista e projekteve, e cila përfshin edhe terminalin doganor në pikën kufitare Tabanoc, është pjesë e kërkesave për anëtarësim dhe për përafrim me Bashkimin Doganor të BE-së si një zonë e vetme tregtare. Kjo mbështetje e ndihmon administratën doganore të përgatitet plotësisht pasi kufijtë e vendit të bëhen kufij të BE-së.


