Begaj uron nxënësit: Besoni te vetja dhe ëndrrat tuaja

Presidenti Bajram Begaj ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësuesit në nisjen e vitit të ri shkollor.

Begaj shprehet se çdo ditë e re në shkollë është një mundësi për të mësuar, për të zbuluar dhe për të ëndërruar.

Duke vlerësuar rëndësinë e shkollës në formësimin e brezave të rinj dhe arsimimin cilësor si themel për të ardhmen e vendit, Kreu i Shtetit motivon nxënësit të ndjekin më përkushtim këtë vit shkollor.

“Besoni te vetja, besoni tek ëndrrat tuaja dhe tek e ardhmja. Ajo do të jetë më e mirë dhe është në duart tuaja”, shprehet presidenti.

Begaj përcolli një urim të veçantë për fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për të gjithë ata mësues, të cilët me përkushtim, durim dhe dashuri kryejnë këtë mision fisnik.