Mexhiti uron Kurtin për rizgjedhjen: Kosova ka mbështetjen tonë të plotë
Kryetari i Komunës së Çairit dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka uruar Albin Kurtin për rizgjedhjen në postin e kryeministrit të Republikës së Kosovës.
“E uroj mikun tim Albin Kurti për rizgjedhjen si kryeministër i Republikës së Kosovës”, ka shkruar Mexhiti.
Ai shprehu bindjen se në periudhën e ardhshme Maqedonia e Veriut dhe Kosova do ta vazhdojnë bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh, në interes të qytetarëve të të dyja vendeve.
Sipas Mexhitit, theks i veçantë duhet t’u kushtohet projekteve të përbashkëta infrastrukturore, të cilat i afrojnë edhe më shumë dy vendet, si dhe ndërtimit të së ardhmes evropiane të rajonit.
“Institucionet stabile, të ndërtuara mbi vullnetin e sovranit, janë garancia më e mirë për një qeverisje të përgjegjshme, të guximshme dhe të vendosur për ta ndërtuar shtetin mbi themele të fuqishme dhe të qëndrueshme”, theksoi Mexhiti.
Ai gjithashtu shprehu mbështetje të plotë për Republikën e Kosovës dhe për luftën çlirimtare, mbi të cilën, siç tha, u ngritën themelet e shtetit të pavarur.
“Historia njeh shumë raste kur ligji është përdorur për të marrë vendime kundërthënëse, por asnjë vendim i politizuar nuk mund ta fshijë një të vërtetë historike. Asnjë autoritet nuk mund ta zhbëjë me një akt juridik atë që një popull e ka fituar me vetëmohim dhe sakrifica”, përfundoi Mexhiti.


